TIRANË, 25 qershor/ATSH/- Lukova, perla e bregut të Jonit, është transformuar totalisht pas investimeve të kryera pas më shumë se një dekade.
Shesh i ri qendror i qytezës bregdetare tashmë është me pamje të re, ndërsa parqet dhe pemët e mbjella i kanë shtuar edhe më shumë hijeshinë.
Investimet e qeverisë në njësinë administrative të Lukovës, e cila pas ndarjes së re territoriale është tashmë pjesë e bashkisë së Himarës e kanë ndryshuar këtë qytezë brenda një kohe të shkurtër.
Kryetari i bashkisë së Lukovës, Jorgo Goro, shprehet se “në Lukovë projektuam modelin e një qyteze bregdetare, ku janë ndërthurur të gjithë elementet e ndërtimit”.
“Nga Sheshi Qendror i transformuar së fundmi, me hapësira të gjelbra, për të vazhduar me rrugët e asfaltuara, apo me shtresë betoni, deri tek kalldrëmet me gurë, për të ruajtur traditën dhe atë që trashëguam. Do vazhdojmë me projekte të reja në të gjitha lagjet e Lukovës, aty ku ende nuk kemi ndërhyrë për arsye të projekteve në letër, të paraqitura për financim”, – thekson Goro.
Rrugët e Lukovës janë ndriçuar, fasadat e pallateve janë rikonstruktuar, rrugët e brendshme të saj janë rindërtuar, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Banorët dhe turistët e shumtë që gjatë verës zgjedhin këtë vend, ku klima bregdetare gërshetohet mrekullisht me klimën malore, kanë më shumë hapësira publike, kënde sportive, etj.
Në një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, Lukova ofron për pushuesit mundësinë e përzgjedhjes së një pakete mjaft të kombinuar pushimesh.
Lukova është e pozicionuar midis qyteteve, të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika.
Ajo shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek ato më të populluara e njohura mirë nga pushuesit si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.
Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet e arta, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që ju duhet patjetër të zbuloni këtë verë në Lukovë./k.s/






















