Veliaj prezanton projektet e reja për zonën e Kombinatit

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Në katër vitet e ardhshme Kombinati do të pësojë një transformim të thellë.

Gjatë kafes së mëngjesit me Kryeministrin Rama dhe banorë të njësinë nr. 6 në Kombinat, kreu i bashkisë dhe kandidat për një mandat të ri, Veliaj u shpreh se në katër vitet e ardhshme do të vijojë puna me një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore që do të rrisin ndjeshëm standardin e jetesës së këtij komuniteti. Tashmë Kombinati dhe Tirana kanë jo vetëm një hyrje dinjitoze, por ka marrë zgjidhje edhe shqetësimi i kanalizimeve.

“Kryeministri e ka mbyllur kontratën me qeverinë japoneze, që mbasi na lanë atë gropën ata ish-aleatët, u rikuperua, kaloi VKM. Ai është i vetmi projekt në Republikën e Shqipërisë që është paguar 90% e lekëve, pa bërë 40% e punëve. Në bashki rregulli është që bën 90% të punëve, jalla të marrësh 40% të lekëve, se do verifikohet disa herë. Aty anasjelltas. Na lanë një gropë. Pastaj Kryeministri bëri një marrëveshje me ta për ta ribërë kredinë, ndaj në momentin që zhduken ato tri pusetat, e gjithë rruga e Kombinatit është bërë si rruga Dritan Hoxha, pra një hyrje e Tiranës”, – tha Veliaj.

Një nga investimet do të jetë dhe tregu i ri agroushqimor në Farkë, që do të shpëtojë Kombinatin nga shitjet pa kriter si dhe tregu i ri me pakicë vetëm për banorët e kësaj zone.

“Do bëjmë një treg të ri pakice. Ai tregu në Kashar është kthyer si me thënë, jashtë shkojnë pa vizë, atje shkohet me vizë. Ti paguan taksë jo për kamion, paguan për kile, për kaçile ose për arkë. Kështu që kemi identifikuar një zonë poshtë helikopterëve në Farkë, ta bëjmë me shumicë atë pa pagesë, se vijnë gjithë kamionët e fshatarëve tanë dhe në lagje siç kemi bërë me Pazarin e Ri, të bëjmë nja 8 vende, të bëjmë tregje të vogla, kurse tregun e madh të shumicës ta bëjmë atje të shesin sa të duan”, – tha Veliaj.

Banorët e Kombinatit vlerësuan angazhimin maksimal të bashkisë së Tiranës. Nga një zonë e harruar për shumë vite, banorët theksuan se tashmë edhe lagjet e tyre kanë marrë një pamje krejt tjetër duke bërë që edhe prona të marrë një vlerë të shtuar. /z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.