Ballina Flash

Projekt në ndihmë të kompanive të huaja në kryeqytet

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në takimin me banorët e njësisë nr. 6 prezantoi disa nga projektet transformuese për zonën e Kombinatit në kryeqytet.

Ai foli për një qendër të madhe panairesh, propozim ky nga bashkia e Brukselit si dhe për zonën ekonomike të zbuluar në Tiranë.

Veliaj tha se në katër vitet e ardhshme do të vihen në zbatim projekte mjaft të rëndësishme, siç është zona ekonomike mes Kombinatit dhe Kasharit që do iu vijë në ndihmë kompanive të huaja.

“Kemi disa ide të mira. Për shembull ish-kombinati, na ka bërë një propozim bashkia e Brukselit për një qendër të madhe panairesh, por edhe ajo do sistemuar, sepse janë njerëz që kanë zaptuar vende, ti çosh në banesa sociale dhe tjetra është që ngjitur me impiantin e ujërave të Kasharit, kemi identifikuar zona ekonomike të Tiranës se ato që kemi parë në Shkup. Ju na krijuat një mundësi që edhe bashkia të aplikojë për licencë operatori. Ne kemi të gjithë këtë segmentin e Vaqarrit, të gjitha këto kompani, ata duan të shkojnë nga 150 punëtorë në 500, por duhet të bëjnë 10 negociata për çdo rrip toke. Dhe thonë: ore nuk diskutojmë dot me çdo njeri në fshat sikur do ndërtojmë grataçela me 30%, ndërkohë që po të kemi një zonë të lirë ekonomike, ne e heqim nga priza aty, e vëmë atje dhe shtojmë kapanonet me panele sanduiç. Kështu që po aplikojmë në ministri dhe them që me Blerinën dhe grupin e Kombinatin mund ta kthejmë këtë zonën midis Kasharit dhe Kombinatit në një superzonë ekonomike. Ne bëjmë investimin dhe çdo kompani jep qiranë”, – tha Veliaj.

Gjatë takimit me banorët, ai foli për investimet e kryera në njësinë nr. 6 ndërsa vlerësoi shkollën “Betim Muço” si një histori suksesi.

“Mbaruam varrezat e Sharrës që kanë qenë një gangrenë, u bë shkolla 9-vjeçare në Sharrë që nuk diskutohej fare. Ndërkohë kemi mbaruar shkollën “Betim Muço”. Që pas “Musine Kokalarit” është bërë shkolla e dytë dhe ka dalë një histori suksesi, është shkolla “Betim Muço”.

/z.tosku/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Çuçi: Certifikimi nga Global G.A.P i fermave dhe forcimi i pikave të grumbullimit, garantojnë cilësinë dhe shitjen e prodhimeve
Artikulli tjetërProjekti 700 milionë euro, Milan e Inter marrëveshje për stadiumin e ri