Ballina Flash

Komedia e zezë “Presidentet”, dy mbrëmje në skenën e Vjenës

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ – Komedia e zezë “Presidentet”, që u ngjit më herët në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me interpretimin e tri aktoreve të njohura do të shfaqet për dy mbrëmje me radhë në skenën e Vjenës në Austri.

Kjo komedi shkruar nga Werner Schawab u soll në skenë nga regjisorja austriake Sabine Mitterecrek me interpretimin e aktoreve Adriana Tolka, Ermira Gjata dhe Eni Jani. Shfaqja do të jetë mbrëmjen e të shtunës datë 15 qershor ora 20:00 dhe të dielën 16 qershor, ora 15:00 në “Rabenhof Theater”, Vjenë.

“Presidentet” është historia e tri grave, jeta e të cilave nuk shkon përtej ekranit të televizorit, fanatizmit fetar, punës poshtëruese dhe rikujtimit të ngjarjeve të së kaluarës. Gjithësesi personazhet e veprës janë plot gjallëri në degradimin, poshtërsinë e neveritshme dhe budallallëkun, shkëmbimi i të cilave prodhon vetëm dhimbje dhe zemërim.

“Presidentet” e Werner Schawab janë dy pensioniste me të ardhura minimale dhe një pastruese tualetesh me iluzione fetare. Ato nuk i bien në qafë askujt, nuk shërbejnë më për të ardhura ekonomike dhe janë të paafta për të lindur trashëgimtarë. Ato veçse frymojnë dhe kënaqësia e tyre vjen duke u shtuar nga të folurit, të dërdëlliturit në çdo frymëmarrje, që ndërpret agoninë e dhimbjes së heshtur.

Bota e tre personazheve endet rreth tryezës së një kuzhine dhe vetëm një racion mishi u jep atyre shijen e jetës së mirë. Erna, Grete dhe Marile janë të venitura dhe as nuk duan t’ia dinë që i mëshirojnë. Triumfi i tyre qëndron vetëm tek të ekzistuarit. /a.a//a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakO’Connell: Britania e Madhe i gëzohet çdo suksesi të Kosovës në luftimin e krimit
Artikulli tjetërGjenerali kroat ofron përvojën e tij për ushtrinë e Kosovës