TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar kandidatin për bashkinë e Çorovodës, Adriatik Mema një vlerë të shtuar dhe një mënyrë të re qeverisje pas 30 qershorit.
Gjatë takimit me banorët, ai u shpreh se kandidati Mema ka një karrierë profesionale të admirueshme.
“Jemi mbledhur këtu për t’i dhënë mbështetjen tuaj një njeriu të nderuar, një njeriu që ka një karrierë profesionale të admirueshem për nga korrektesa. Një njeriu që në fund të fundit është zgjedhja juaj për të kandiduar si kryetar bashkie nga Partia Socialiste dhe që në 30 qershor do të jetë kryetar i ri i bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema”, – tha Rama.
Më tej, ai shtoi se në Skrapar mund të bëhet shumë më shumë se ç’është bërë deri tani.
“Edhe këtu në Skrapar e kemi të lehtë të themi se pse duhet të votohemi, sepse janë veprat që flasin. Për hir të vërtetës, ne qeveria, unë personalisht jemi munduar t’a mbështesim zhvillimin e kësaj bashkie dhe vetë transformimi i prekshëm nga sytë e çdokujt, i zemrës, se bashkisë së Skraparit ku jemi mbledhur edhe ne, flet qartë për atë që kemi bërë dhe për sa shumë akoma mund të bëjmë së bashku”.
Sipas Kryeministrit të vendit, Mema do t’i japë fund edhe vlerësimit partiak të punonjësve që punësohen pranë bashkisë.
“Pavarësisht se mund të mund të mos jeni të gjithë dakord, edhe me kryetarin e bashkisë së Skraparit ne kemi bashkëpunuar dhe kemi bërë punë të mira. Jam i sigurt se mundësia për të bërë shumë më tepër është në dorën tonë, siç jam i sigurt se kandidati ynë do të sjellë një vlerë të shtuar, një cilësi qeverisje dhe marrëdhëniesh me komunitetin, do të sjellë një përfundim të domosdoshëm të shpenzimeve të tepërta për një administrate të tejfryrë, deri edhe me njerëz që nuk jetojnë fare në Skrapar dhe marrin rroga. Jam i sigurt që do të dijë të vlerësojë pa filtra partie, por me sytë e një njeriu korrekt që vete ka ecur përmes profesionalizmit”, – përfundoi Rama.
/z.tosku/























