TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me studentët ekselentë të cilët prej disa muajsh janë bërë pjesë e saj.
Gjatë takimit me studentët u diskutua dhe u pritën sugjerime nga ana e tyre në funksion të një ekonomie moderne dhe të qëndrueshme.
“Me studentët e ekselencës të punësuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në një takim frymëzues ndamë së bashku eksperiencën e këtyre muajve të parë në administratë, angazhimet dhe nismat, rezultatet e para si dhe dëgjova idetë dhe sugjerimet e tyre avangarde sesi mund të adresojmë politika cilësore në funksion të ndërtimit të një ekonomie moderne dhe të qëndrueshme. Mbështetja jonë ndaj të rinjve të talentuar në rrugëtimin e tyre profesional në administratën publike është jo vetëm një detyrim ndaj rritjes së kapaciteteve të administratës sonë, por një detyrim në vetvete mbi ardhmërinë e vendit”, shprehet Denaj.
Qindra studentë ekselentë i janë bashkuar Administratës Publike, të cilët fillimisht do të kryejnë stazhin pranë institucioneve më të rëndësishme në vend dhe më pas do të përfitojnë edhe një kontratë 1-vjeçare.
/e.caushi/





























