Ballina Aktualitet

Aleatët e Bashës: Jo shtyrje të zgjedhjeve pa marrëveshje

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Aleatët e Lulzim Bashës e cilësojnë kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve si të pavlefshme nëse kjo e fundit nuk finalizohet me një marrëveshje kushtetuese.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi tha në një intervistë për “TV Klan” se shtyrja e zgjedhjeve duhet të bëhet nëpër ndryshimet e mëdha politike, prandaj sipas tij duhet edhe kohë.

“Vetë shtyrja është një situatë e re politike, sepse shtyrja duhet për të bërë ndryshime të mëdha politike ndaj duhet kohë. Nëse shtyrja bëhet prapë me Edi Ramën, me këto formula, me këto qeverisje, nuk ka ndonjë vlerë. Nëse ne bëjmë zgjedhje si ato të 2017-ës do të ishte një gabim i madh”, – theksoi ai.

Shehi komentoi edhe gatishmërinë e Presidentit të Republikës për të dekretuar një datë tjetër për zgjedhjet, duke theksuar se Meta nuk e ka hapësirën kushtetuese për ta ndërmarrë këtë hap.

“Presidenti është interpret moral dhe ligjor i kësaj pune. Funksionin politik e ka tryeza e partive dhe këtë mund ta bëjë vetëm një marrëveshje partie. Presidenti nuk mund ta bëjë këtë punë, qoftë edhe më i miri i botës. Forca e popullit shqiptar nuk janë 2 shishe benzine, edhe forca e shqiptarëve në ditën e zgjedhjeve është bojkoti ndaj zgjedhjeve. Lehtësisht mund të krijosh tension gjatë ditës së zgjedhjeve, sesa vetë të shkosh në zgjedhje, kjo është realisht forca e madhe e opozitës së shqiptarëve. Gjykoj se nuk kemi nevojë për procese të tjera. Unë nuk do ta pengoja për t’i marrë të gjitha. Nëse ka maninë për t’i marrë të gjitha si Enver Hoxha le t’i bëjë”, – theksoi ai.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZhvillimi ekonomik sfida jonë më e madhe, ata e zhytën vendin në borxhe
Artikulli tjetërZgjedhjet nuk shtyhen, Shqipëria nuk bëhet peng i askujt