FUTBOLL – Hazard pranë largimit nga Chelsea

BAKU, 30 maj /ATSH-AA/ – Futbollistët e “Chelsea” mundën dje në mbrëmje me rezultatin e thellë 4-1 “Arsenalin”, ku një nga lojtarët më të mirë në terren ishte Eden Hazard.

Por, pas festimit Hazard deklaroi se “mendon që kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e bluve të Londrës”.

Sulmuesi belg ishte autori i dy golave dhe një asist kundër “Arsenalit” ndërsa pas finales së Ligës së Europës tha se kalimi i tij në “Real Madrid” varet nga marrëveshja mes dy klubeve.

“Mendoj se kjo ishte lamtumirë, megjithëse futbollit kurrë nuk i dihet”, ka thënë Hazard.

Trajneri i “Chelsea”, Maurizio Sarri, i cili me triumfin në Ligën e Europës arriti trofeun e parë në karrierë, tha se të gjithë në klub duhet të respektojnë vendimin e Hazardit.

Hazard mbërriti në “Chelsea” në vitin 2012 nga klubi francez i “Lille”.

Ai ka luajtur për “Chelsea” 352 ndeshje dhe ka shënuar 110 gola. Ka fituar dy tituj të kampionit të Anglisë, një kupë FA dhe Kupën e Ligës. Në skenën ndërkombëtare ka fituar dy herë kupën e Ligës së Europës. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.