TIRANË, 27 Maj /ATSH/ – Luciano Spalletti nuk do të jetë trajner i “Interit” sezonin e ardhshëm, pavarësisht se fitorja dramatike ndaj “Empolit” u siguroi zikaltërve pjesëmarrjen në Champions.
Eksperienca e tij në krye të skuadrës milaneze mund të konsiderohet e mbyllur. Mbeten për t’u vendosur vetëm disa detaje të prishjes me marrëveshje të kontratës.
Drejtuesit e “Interit” po përgatiten për një zyrtarizuar rrugëtimin e ri me Antonio Conten trajner. I përket pikërisht ish-trajnerit të “Juventusit”, Italisë dhe “Chelsea”-t të ndërtojë në bashkëpunim me Marottan një skuadër që mund të konkurrojë me bardhezinjtë në Serinë A, të synojë Kupën e Italisë dhe të bëhet protagoniste në Europë.
Është vetëm çështje ditësh që Conte të marrë zyrtarisht drejtimin e “Interit”, mund të ndodhë që të mërkurën. Është fakt, që palët kanë rënë dakord dhe kanë mbyllur të gjitha detajet e marrëveshjes.
Trajneri nga Lecce do të ndërmarrë një udhëtim në zyrat qendrore të Suning, në Kinë, për të njohur personalisht pronarin Zhang Jindong, i cili pas fitores me “Empolin” deklaroi se “do të bëj më të mirën për këto ngjyra!” Sigurisht me Antonio Conten trajner.
/gj.m/ /a.g/






















