AKU sekuestron 257 kg mish në Durrës, gjobë 250 mijë lekë dhe bllokon thertoren

TIRANË, 27 maj /ATSH/- 257 kg produkte mishi ka sekuestruar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në një thertore të paligjshme të Ramiz Shalës në zonën e Katundit të Ri në Durrës, të cilin edhe e ka gjobitur me 250 mijë lekë.

Sipas AKU-së nga kontrolli rezultoi se Shala e kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambient të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit.

Po sipas AKU-së, ambienti ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjeno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit infomon se në të njëjtat mjedise të papërshtatshme ku kryhej therja e kafshëve të gjalla, subjekti përgatiste në mënyrë të paligjshme edhe produkte ushqimor “Sallam” për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion. Grupi bllokoi 219 kg mish gjedhi, 14 kg mish deleje dhe 24 kg sallam. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.