TIRANË, 24 maj/ATSH/ – Bukuritë e shumta natyrore të Divjakës tashmë mund të shijohen edhe gjatë shëtitjeve me biçikleta.
Pas kullës panoramike, pasarelës së drurit dhe shëtitjes me varka tashmë vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë bukuritë e zonës duke bërë një xhiro argëtuese me biçikleta.
Bashkia e Divjakës po punon për të krijuar kushtet maksimale duke ofruar shumëllojshmëri shërbimesh.
“Tashmë është detyra jonë që këto vlera ti promovojmë, ti krijojmë kushtet vizitorëve jo vetëm nga e gjithë Shqipëria por edhe atyre të huaj, që në atë pak kohë që kanë në dispozicion të shijojnë në maksimum këtë parajsë qetësie, drite, ngjyrash, cicërimash”, -thekson bashkia.
Sipas bashkisë, janë vënë në dispozicion si fillim 9 biçikleta për të rritur dhe 2 për fëmijë.
“Ky shërbim do të ofrohet me një pagesë minimale prej 100 lekë/ora, e cila do të shërbejë për mirëmbajtjen e tyre. Mjafton një mjet identifikimi dhe ju mund të përfitoni nga ky shërbim duke shijuar bukuritë dhe duke u argëtuar njëkohësisht”, shprehet bashkia.
Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./k.s/j.p/























