VIDEO/ Statistikat e INSTAT, dëshmi e transformimit social dhe ekonomik të vendit

TIRANË, 16 maj /ATSH-A.ALLA/ – “Misioni i INSTAT-it ka qenë dhe mbetet prodhimi i statistikave asnjanëse, transparente, të përditësuara të cilat ndihmojnë gjykimin e përdoruesve mbi procesin e transformimit social dhe ekonomik të vendit”, u shpreh deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi gjatë seancës së sotme parlamentare.

Ajo shtoi se, “programi statistikor 2017-2021 i miratuar me vendim të Kuvendit ka vënë në vëmendje dhe një sërë treguesish të cilët janë të aftë për të monitoruar zbatimin e programit qeverisës 2017-2021 dhe për të raportuar në mënyrë periodike mbi situatën në vend”.

“Të dhënat e INSTAT na ndihmojnë për të konfirmuar trendin rritës që ka ekonomia e vendit, për të parë që papunësia po vjen në ulje, për numrin në rritje të turistëve në vend, pra për të kuptuar situatën ekonomike që vijnë nga këto fusha”, – tha Ekonomi.

“INSTAT konfirmoi se kemi një rritje ekonomike në vitin e kaluar 4%, gjithashtu konfirmoi se papunësia zbrit në 12.3%, tregoi që shifrat e turistëve arritën në 6 milionë dhe sollën rreth 2 miliardë euro të ardhura për ekonominë shqiptare. Statistikat e INSTAT treguan se dhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti numri i turistëve u rrit me 11,5% krahasuar me vitin 2018”, – vijoi Ekonomi.

Ekonomi tha se, “në analizat strukturore të ndërmarrjeve të dhënat tregojnë që në periudhën 2013-2017 numri i ndërmarrjeve është rritur në 27%, të punësuarit në këto ndërmarrje janë rritur me 43%, investimet e këtyre ndërmarrjeve me fondet e veta 42%”.

“Denigrimi që i bëhet imazhit të vendit rrezikon të sjell dëme të gjata dhe të parikuperueshme në ekonominë e vendit. Opozita me aksionet e saj po largon turistët, investitorët e huaj por krijon panic dhe pasiguri dhe tek biznesi i vogël. E gjithë kjo që u ngrit me mund vit pas viti rrezikon të shembet nga babëzia që ka pikërisht opozita për pushtet dhe nga frika e drejtësisë. Me këto metoda që përdor opozita nuk mund të rrëzoj kurrë një qeveri legjitime siç është kjo që drejton vendin. Kjo qeveri gëzon mandatin e shumicës dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtar”, – përfundoi deputetja e Partisë Socialiste Milva Ekonomi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.