TIRANË, 13 maj/ATSH-Maela Marini/ “Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllimi dhe mjeti i Partisë Demokratike”, – deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Përmes një deklarate për shtyp nga selia e PD-së, Bardhi tha se sot është lajmëruar një marshim-protestë i të gjithë qytetarëve kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë Europa.
“Deklarata e Ministrisë së Brendshme se PD ka prodhuar dhe shpërndarë bomba Molotov për protestën e sotme është një sajesë e neveritshme që synon të krijojë frikë te qytetarët”, – tha Bardhi.
Bardhi siguroi qytetarët se PD është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. “”I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet. Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata paërpara përgjegjësisë”, tha Bardhi.
Ai theksoi se “Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë hap prapa për të drejtën themelore politike të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo”.
Protestat tona i shërbejnë vetëm këtij qëllimi, tha Bardhi, duke shtuar se “ne jemi distancuar nga dhuna dhe e kemi dënuar atë që gjatë protestës së 11 majit”.
“Mediet kanë transmetuar live thirrjen e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për protestuesit, që të mos cenojnë asnjë polic në krye të detyrës. Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa, prandaj ne kemi mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të ndershëm”, tha ai. /r.e/






















