Ballina Aktualitet

Shqipëria, rol konstruktiv në rajon

TIRANË, 8 maj /ATSH-A.ALLA/ – “Dimensioni rajonal i punës sonë të përbashkët, pra marrëdhëniet e mira të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi, koordinimi i punës në rajon mbeten një element thelbësor i punës sonë, por edhe i procesit të zgjerimit”, – u shpreh gjatë konferencës për shtyp Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini.

Ajo tha se, “Marrëveshja e Prespës mund të jetë shembull për zgjidhjen e paqshme të mosmarrëveshjeve jo vetëm në rajon, por edhe më tej dhe ky nuk është vetëm suksesi i Maqedonisë së Veriut apo i Greqisë, por besoj që është suksesi i gjithë rajonit dhe gjithë Europës. Shqipëria tashmë e ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj fqinjëve të saj dhe ne do mbështetemi tek Shqipëria që ajo të vazhdojë të luajë këtë rol konstruktiv në rajon”.

“Ka dhe disa procese pajtuese në rajon të cilat duhet të kenë mbështetjen e të gjithëve ne, në interes jo vetëm të palëve në fjalë, por të stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik të gjithë rajonit. Ne ndajmë një axhendë ambicioze për bashkëpunimin rajonal, për të cilin roli pozitiv i Shqipërisë është thelbësor dhe ne presim që kjo të vazhdojë edhe në muajt në vijim”, – vijoi Mogherini.

Ajo shtoi se, “ne gjithashtu ndajmë dhe objektivin e përbashkët të konsolidimit të bashkëpunimit për sigurinë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Gjatë muajve të fundit kemi patur rezultate, ku një ndër to është që Shqipëria vazhdon të jetë një partner i besuar në këtë fushë. U nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me Euro Just, por dhe me agjencinë tonë europiane të kufirit dhe të rojes bregdetare Frontex, marrëveshja e parë me një vend që nuk është anëtar i BE-së”.

“Shqipëria ka qenë në pararojë të përcaktimit të përparësive për një plan veprimi dypalësh për të fuqizuar planin që kemi ne për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Dua të shpreh dhe një herë vlerësimin tonë që Shqipëria është në linjëzim, pra është në përputhje me linjën e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, në atë të sigurisë, që tregon se sa shumë ndajmë ne të njëjtat analiza dhe interesa. Shqipëria është pjesë e Europës, jo vetëm gjeografikisht. Ne do vazhdojmë të ecim përpara për objektivin tonë të përbashkët të anëtarësimit në BE për Shqipërinë”, – përfundoi Federica Mogherini. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPenalizim bllokuesve të rrugëve, Spiropali: Duhet ta kishim marrë më shpejt vendimin
Artikulli tjetërParashikimi i motit, 8 maj 2019