Ballina Aktualitet

Shqipëria mbështetje nga autoritetet franceze për Reformën në Drejtësi dhe në luftën ndaj korrupsionit

TIRANË, 8 maj/ATSH/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në vijim të vizitës së saj dyditore në Paris, zhvilloi një takim me kreun e Autoritetit të Lartë për Transparencën e Jetës Publike, Jean Louis Nadal.

Ministrja Gjonaj e njohu Nadal me nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe shprehu angazhimin e Shqipërisë për të vijuar në rrugën e reformave në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe sfidave të integrimit në BE.

Në cilësinë edhe të Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, ajo theksoi po ashtu angazhimin e fortë të qeverisë shqiptare për masat konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Duke u ndalur mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi, ministrja Gjonaj e informoi Nadal mbi ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor edhe me procesin e Vetingut, i cili ka filluar të japë rezultate konkrete.

Kreu i Autoritetit, Nadal shprehu vlerësimin për rezultatet e arritura në Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke shprehur inkurajim dhe mbështetjen e tij dhe të institucionit që drejton për ministren Gjonaj dhe qeverinë shqiptare, lidhur me vazhdimësinë e reformave të ndërmarra.

Duke theksuar se çështja e shtetit të së drejtës është çështje e të gjithëve dhe e vullnetit të përbashkët, ai solli në vëmendje përvojën franceze për sistemin e drejtësisë dhe disa nga nismat që Franca ka ndërmarrë në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, ku ka pasur një bashkëpunim mes institucioneve të ndryshme.

Nadal përshëndeti punën e madhe të bërë deri më tani me Task Forcën Antikorrupsion, si dhe dakordësoi se transparenca publike e denoncimit të rasteve të korrupsionit është një përgjigje e domosdoshme dhe një mjet efikas në luftën kundër korrupsionit. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIbrahimi pret zv/presidentin e Eurojust: Reforma në Drejtësi po ecën sipas afateve
Artikulli tjetërTEKNOLOGJI – Gati superkompjuteri më i shpejtë në botë