TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, rezulton se numri i kompensimeve të pasagjerëve për vonesat mbi 3 orë, të kompanive ajrore në total ka shkuar në 2200.
Sipas informacionit të përpunuar nga Sektori për të Drejtat e Pasagjerëve nga të dhënat që kompanitë ajrore kanë dërguar pranë SPD, rezulton se 1546 kompensime janë përfunduar si proces, ndërsa 654 janë në proces mbylljeje, për shkak të dokumentacionit nga pasagjerët.
Në mënyrë që ky proces të përfundojë në një kohë sa më të shkurtër, AAC i bën thirrje gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar një formular ankimimi, të rikontakojnë kompaninë ajrore për t’u njohur me gjendjen e procesit.
Ndërkohë për çdo asistencë të kontaktojnë edhe numrat e telefonit të Sektorit për të Drejtat e Pasagjerit.
Respektimi i të drejtave të pasagjerëve, që lidhet me marrjen e kompensimit në rastet e vonesave apo anulimit të fluturimeve të palajmëruara më parë vazhdon të jetë një element shumë i rëndësishëm që ka marrë edhe vëmendjen maksimale të AAC. /k.s/ /a.g/






















