Ballina Aktualitet

Zarife Hasanaj, dëshmorja e dytë shqiptare në misionet e Aleancës

TIRANË, 6 maj /ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta e efektives së ushtrisë Zarife Hasanaj në Letoni.

“Me tronditje dhe dhimbje të thellë mësova lajmin tragjik për humbjen e jetës së efektives së Forcave tona të Armatosura Zarife Hasanaj gjatë angazhimit të saj në misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s në Letoni”, është shprehur Basha në mesazh.

“Në këto momente të rënda mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe miqtë e Zarifes. Lutem po kështu për dy efektivët e tjerë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj që mbetën të plagosur të jenë larg rrezikut për jetën dhe të kenë trajtim dhe shërim të shpejtë”, ka theksuar kreu i PD.

Basha ka shtuar se, “me sakrificën e jetës së saj të re, Zarife Hasanaj është dëshmorja e dytë shqiptare e rënë në mision të mbrojtjes kolektive të Aleancës”.

“Duke ju uruar shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur, lutem që shpirti i efektives Hasanaj të prehet në paqe”, ka përfunduar mesazhin e tij të ngushëllimit Lulzim Basha.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Veliaj apel qytetarëve: Regjistroni adresën para 10 majit, buxhetojmë më shumë investime
Artikulli tjetërSarri: Higuain si Suarez, duhet të qëndrojë