TIRANË, 5 maj /ATSH/ – Fondet e Pensioneve Private Suplementare kanë zgjeruar
veprimtarinë e tyre gjatë vitit të kaluar duke reflektuar eficiencën e reformave që ka ndërmarrë qeveria në fushën e pensioneve.
Në Shqipëri veprojnë 3 fonde pensionesh private vullnetare.
Aktivet e këtyre fondeve shënuan vlerën 2.2 miliardë lekë, ose 26% më shumë se niveli i aktiveve në fund të vitit 2017. Aktiviteti i fondeve të pensionit mbizotërohet nga investime në titujt e borxhit të qeverisë.
Ndërkohë reforma e pensioneve në Shqipëri ndihmoi të moshuarit që jetonin pa një pension, të integrohen në sistemin e pagesave përmes kontributeve që ata derdhin në sistem.
Kjo reformë lëvizi një tavan të vjetëruar dhe tashmë punonjësit mund të përfitojnë pensione në përputhje me atë që ata kontribuojnë në sistem.
Ndryshimet më të fundit në sistemin e pensioneve në Shqipëri bënë të mundur që mijëra shqiptarë të përfitojnë ato që quhen “pensione sociale”.
Këto pensione u vijnë në ndihmë njerëzve mbi 70 vjeç, të cilët kanë punuar dhe kontribuar për më pak se 15 vjet, ose kanë punuar, por nuk kanë kontribuar në planin e mëparshëm kombëtar të pensionit.
Me anë të kësaj reforme, është hequr tavani i shumës maksimale që mund të merrnin pensionistët. Kjo mundëson që ajo shumë që marrin si pension, të jetë në përputhje me shkallën e kontributit të tyre në sistemin shtetëror të pensioneve.
Ndërsa zbatohet edhe skema e kontributeve vullnetare, që adreson më shumë fond pensioni për ata që paguajnë kontribute për pension suplementar. /e.xh/r.e/













