Ballina Flash

“Juventus” vendos veton: Jo Dybala tek “Interi”

TIRANË, 3 maj/ATSH-A.Fortuzi/- “Juventus” dhe “Inter” kanë nisur një negociatë konkrete për transferimin e sulmuesit argjentinas të “Interit” te kampionët e Italisë.

Edhe pse në plan të parë, negociata mund të duket si e pamundur, “Bardhezinjtë” duket se kanë nga krahu i tyre forcën për të bindur zikaltërit dhe kjo buron pikërisht nga “halli” që ka zënë “Interin” për çështjen e “Fair Play-t” financiar, për të cilën “Inter” është dënuar nga Federata Europiane e Futbollit (UEFA)

Në një artikull të publikuar të premten nga “Sportmediaset”, mësohet se Drejtori Sportiv i “Juventusit”, Fabio Paratiçi dhe Drejtori Sportiv i “Interit’, Piero Ausilio janë takuar në fshehtësi në Londër, në kuadër dhe të ndeshjes gjysëm finale të Ligës së Kampionëve mes “Tottenham” dhe “Ajax”,  të luajtur të martën pikërisht në kryeqytetin britanik. Në qendër të bisedës ka qenë pikërisht tratativë për Icardin, nga ku dhe “Juventus” ka nisur planin për të joshur argjentinasin duke i ofruar një kontratë të majme.

Sipas “Sportmediaset”, Ausilio ka theksuar se zikaltërit vlerësojnë Icardin rreth 80 milionë euro, ndërsa Paratiçi ka garantuar kolegun e tij se “bardhezinjtë” janë gati të ofrojnë 60 milionë euro, ndërsa ka refuzuar kategorikisht futjen në tratativë të Dybalas, që u citua më herët në media.

“Sportmediaset” thekson se për realizimin e kësaj marrëveshje ka interes nga të dyja palët, si për shkaqe ekonomike, ashtu dhe për çështje teknike, ambientale por dhe personale.

Gjithsesi, pavarësisht këtyre diskutimeve të para, sipas “Sportmediaset” ka ende shumë rrugë për tu bërë që tratativa të kthehet në një marrëveshje konkrete dhe zyrtare. Në tavolinë ende nuk është ulur Beppe Marotta, Drejtori i Përgjithshëm i “Interit” që do ketë barrën kryesore për të çuar në fund dhe pozitivisht për zikaltërit një tratativë të kësaj natyre, delikate, por dhe me mjaft pasoja në aspektin e marketingut, ku “Inter” rrezikon të përforcojë kundërshtarin historik të saj “Juventusin”, që prej tetë vite radhazi ka sunduar kampionatin italian të futbollit “Seria A”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryetari i Gjykatës së Apelit Civil në Shkodër, në sitën e Vetingut
Artikulli tjetërNjë media e lirë, dëshmi e nivelit të demokratizimit të shoqërisë