Ballina Flash

Bashkia e Tiranës rehabiliton Varrezat e Dëshmorëve

TIRANË, 3 maj/ATSH/- Në prag të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka ndërhyrë në pllakat tek sipërfaqet e ndryshme në Varrezat e Dëshmorëve, për pastrimin e mbetjeve, për ndriçimin e pllakave, për shtimin e hapësirave të gjelbra, vendosjen e luleve dhe rregullimin e ndriçimit.

Punonjësit e bashkisë kanë punuar për kurimin e bimësisë dhe të dekoracionit, duke zbukuruar shtëpinë e përjetshme të atyre që dhanë jetën për Shqipërinë.

“Mirënjohës çdo ditë për sakrificat e dëshmorëve, që e sollën Tiranën e Shqipërinë në ditët e sotme! Shihemi në 5 Maj, ku na presin dhjetëra aktivitete për të gjitha moshat te sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe Parku i Liqenit.”
Por ky 5 Maj, Dita e Dëshmorëve, do jetë jo vetëm një moment ku do të kujtojmë veprën dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për të patur një Shqipëri të lirë dhe më të mirë, por edhe një ditë feste dhe pa makina në Tiranë.

Bashkia e Tiranës përveç homazheve në të gjitha varrezat e dëshmorëve, ka organizuar edhe një numër të madh dhe të larmishëm aktivitetesh festive, ku mund të gjejnë veten të gjitha moshat, nga më të vegjlit deri tek të moshuarit dhe nostalgjikët e viteve të luftës kundër pushtuesve nazi-fashistë.

Sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Rinia” dhe Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës do të ofrojnë lojëra, muzikë dhe ritëm pa fund nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje. Aktivitetet do nisin me një sërë organizimesh në sheshin “Skënderbej” për më të vegjlit e qytetit me një shfaqje të korit të Liceut Artistik kombinuar me shfaqje aktrimi të fëmijëve të Qendrës Kulturore. Gjithashtu fëmijët do kenë mundësi që të mësojnë dhe zhvillojnë edhe lojërat e dikurshme të rrugës, të zhvillojnë gara të shkurtra apo edhe të krijojnë dhe të ngrenë balonën e tyre.

Në këto aktivitete do ta gjejnë veten edhe më të rriturit, të cilët do kenë mundësi të ndjekin koncerte muzikore të gjimnazistëve të Tiranës dhe ansamblit të qytetit. Kënde të veçanta i janë kushtuar edhe nostalgjikëve të viteve të luftës, të cilët do kenë mundësi të ndjekin filma apo dokumentar me tematikë të zgjedhur nga lufta për çlirimin e vendit.

Nuk do mungojnë në këtë ditë as panairet e produkteve vendase apo edhe ekspozime të mjeteve të Ministrisë së Brendshme apo asaj të Mbrojtjes. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 03.5.2019
Artikulli tjetërANKARA – Banka Botërore 50 milionë dollarë për minierat