Ballina Ekonomi

Task Forca e Transportit Rrugor, 160 masa administrative në një javë

TIRANË, 29 prill/ATSH/-Task Forca e Transportit Rrugor ka intensifikuar aksionin e saj në të gjitha akset kombëtare për të identifikuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë dhe konkurrencën e pandershme në sektorin e transportit rrugorë.

Nga kontrollet e ndërmarra deri më tani, rreth 160 subjekte janë konstatuar me shkelje të rënda, kryesisht “ndryshim destinacioni”, pa “akt vlerësimi komoditeti” dhe në shumë raste me mungesë dokumentacioni. Për të gjitha këto subjekte janë marrë masa përkatëse administrative.

Ky aksion ka ardhur pas udhëzimit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila pak javë më parë thirri në një takim përfaqësuesit e transportit publik ndër-qytetas dhe ndërkombëtar që operojnë në vendin tone. Në këtë takim ministrja u njoh me shqetësimet e tyre dhe i siguroi se të gjitha problematikat e ngritura do të marrin zgjidhje.

Ministrja garantoi se do të ketë një rregullim të operimit të linjave të transportit publik, duke theksuar se në fokus të kësaj ndërhyrjeje është goditja e paligjshmërisë në sektor, eliminimi i konkurrencës së pandershme dhe ofrimi i një shërbimi cilësor për qytetarët.

Aksioni në terren i Task Forcës po realizohet në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, e cila ka pasur në fokus konstatimin e pikave problematike, sipas denoncimeve nga vetë grupet e interesit, si dhe për të krijuar një panoramë sa më të qartë, sa i takon situatës në të gjithë vendin.

Inspektorët e Task Forcës të Transportit Rrugor, që prej muajit dhjetor i janë nënshtruar trajnimeve pranë drejtorisë së Transportit Rrugor me qëllim realizimin me efikasitet të misionit të tyre

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeseli: Përherë borxhlinj për ndihmën që dha Lugar për Kosovën
Artikulli tjetërVIDEO/Manastirliu: Kriter i investimeve në spitale, hapësirat për mësimdhënie