Ballina Aktualitet

Gledian Llatja, kandidat i PS-së për bashkinë e Elbasanit

TIRANË, 27 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot kandidaturën e Gledjan Llatjes, aktualisht prefekt i qarkut të Elbasanit, për kryebashkiak të Elbasanit në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në një takim me banorë të Elbasanit, Kryeministri siguroi se zgjedhjet nuk shtyhen por do të zhvillohen në 30 qershor.

“Për ata që akoma mendojnë se se këtu do të gjendet një zgjidhje dhe do të shtyhen zgjedhjet, ju them se në 30 qershor ne do të jemi këtu, në këtë shesh, ku do të bëhet një festë e madhe për të falënderuar Sejdinin dhe për t’i dhënë bekimin e votave dhe të fitores pasardhësit së tij, Gledian Llatja, duke uruar që të vazhdojë në atë rrugë dhe të bëjë edhe më shumë për Elbasanin”, tha Rama.

Kryeministri premtoi se në 4 vitet e ardhshme për Elbasanin do të bëhet edhe më shumë se sa në këto 4 vite.

“Ne kemi bërë sa kemi mundur dhe sa kemi ditur dhe sigurisht që kemi bërë edhe gabime,  por nuk i kemi bërë kurrë me qëllimin për t’i ngulur vendit thikë pas shpine. Ndodhi një tragjedi në spitalin e Elbasanit që nuk duhet të ndodhte. Ka probleme me rendin dhe kriminalitetin në Elbasan, por askush nuk mund të thojë se ne nuk kemi bërë punë dhe nuk kemi rezultate”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vijojë të bëjë investime në spitalin e Elbasanit dhe do të vijojë të luftojë me këmbëngulje kriminalitetin në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë.

“Por askush mos të më thotë se problemet me shëndetësinë, rendin etj lindën kur erdhëm ne në qeveri, përkundrazi ne kemi pasur kurajo t’i adresojmë problemet dhe sot kemi përgjysmuar numrin e vrasjeve. E gjetëm me 100-110 vrasje në vit, dhe aktualisht është 50-60 vrasje në vit”, tha Rama. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFluksi veror në Morinë/ Shërbime të integruara dhe reduktim i kohës së pritjes
Artikulli tjetërKorçë, kisha e Ristozit i shtohet listës së destinacioneve për t’u vizituar