TIRANË, 26 prill/ATSH-Maela Marini/ Qeveria ka në dispozicion një fond shumë të madh për mbështetjen e projekteve në agroturizëm, që është mekanizmi për ta thyer varfërinë në fshat duke shndërruar shtëpitë në instrumente fitimi.
Në një takim me banorët e Malësisë së Madhe, Kryeministri Edi Rama ftoi banorët e kësaj zone që të investojnë në agroturizëm, duke garantuar mbështetje me fonde dhuratë për këdo që investon në këtë sektor.
“Tani kemi në dispozicion një fond shumë të madh për të mbështetur iniciativat në bujqësi, fondi i BE-së nga ku mund të bëjmë shumë më tepër për ata që investojnë në bujqësi dhe agroturizëm”, – tha Rama.
Kryeministri nënvizoi potencialin e jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar që ka fshati shqiptar në këtë drejtim.
“Ne kemi bukuri të jashtëzakonshme dhe ju e dini se sa shumë turistë kanë interes për këto zona, ku nuk ka shumë infrastrukturë pritëse. Ju keni një mundësi të artë pasi jeni në mes të një bukurie natyrore me traditë mikpritje të jashtëzakonshme, dhe duke transformuar shtëpitë tuaja në bujtina, godina agroturizmi apo ferma të vogël ju do të fitoni shumë”, – tha Rama.
Duke iu referuar kësaj zone ku ka një diasporë të konsoliduar në Amerikë, Rama garantoi se nëse investojnë kursimet e tyre në agroturizëm ata do të fitojnë më tepër se në emigracion.
“Mjafton një projekt i mirë dhe ti mund të marrësh para në dorë, që janë dhuratë dhe jo borxh si kontribut për investimin tënd. Ti investon dhe shteti të financon me pjesën tjetër. Në Vermosh kemi parë se si njerëzit e bëjnë këtë gjë, por do pak më shumë bashkëpunim dhe investime që të bëhet realisht infrastrukturë që të huajt dhe vizitorët e tjerë të ndjehen realisht mirë dhe të duan të kthehen përsëri”, – tha Rama.
Kryeministri siguroi se në këto zona me potencial të Malësisë së Madhe, qeveria do të vijojë investimet në infrastrukturë, pasi nuk ka mbaruar historia me qendrat e njësive administrative. “Rrugët kryesore tanimë janë sistemuar, por ka edhe disa pika të tjera pjesë e programit 100 fshatrat, ku do të investojmë”, – tha Rama. /j.p/























