Ballina Aktualitet

Axhenda paralele kundër Reformës në Drejtësi

TIRANË, 25 prill/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi sot në Kuvend se projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore” është shumë i rëndësishëm në kuadër të zbatimit përfundimtar të Reformës në Drejtësi”.

Ligji në vetvete, tha Ministri, shënon një hap të mëtejshëm në drejtim të konsolidimit të procesit të hetimit, i cili në harkun e 3 dekadave të shkuara ka pasur oshilacione të shumta, pasi duke qenë i ndarë në disa duar nuk ka arritur të dëshmohet si një proces i integruar, i konsoliduar dhe i pacenuar”.

Ministri garantoi se “ligji që do të miratohet sot i jep një përgjigje të qëndrueshme këtij problemi, duke ndihmuar në konsolidimin e procesit të hetimit dhe duke krijuar kushtet e plota që procesi i hetimit të jetë një proces i integruar”.

“Ligji, ndër të tjera krijon mundësi të mëdha për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimit midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, bashkëpunim, i cili është parakusht themelor për një proces hetimi të integruar dhe të konsoliduar. Ky ligj krijon kushtet bazë për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të profesionalizmit në radhët e oficerëve të Policisë Gjyqësore”, – tha Lleshaj.

Sipas tij, “ky ligj krijon kushtet bazë për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të profesionalizmit në radhët e oficerëve të Policisë Gjyqësore, pasi vendos kushte të qarta për gjithë ciklin profesional të jetës së tyre brenda kësaj strukture”.

“Fatkeqësisht edhe pse Reforma në Drejtësi duartrokitet nga të gjithë partnerët tanë, ajo nuk gjen të njëjtën mbështetje nga segmente të caktuara të politikës shqiptare, që tashmë është shndërruar në parapolitikë, duke tentuar të krijojë një mjedis tjetër, pothuajse skizofrenik për të relativizuar, për të zbehur dhe për ta dëbuar pak a shumë fjalën “reformë në drejtësi” nga gjithë diskursi politik dhe nga gjithë diskursi publik”, – shtoi ai.

Lleshaj tërhoqi vëmendjen për atë që po ndodh me përpjekjen për të krijuar axhenda paralele, ku një pjesë e klasës parapolitike është gati të vërë zjarr kudo, të hedhë baltë mbi këdo për arsye nga më të ndryshmet, por asnjë fjalë dhe asgjë nuk flitet për Reformën në Drejtësi.

Lleshaj e konsideroi edhe “sulmin ndaj Policisë së Shtetit krahas institucioneve si shenjë e këtij dëshpërimi të madh”./j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBardhi: Të bashkuar, ne do t’i tregojmë Kryeministrit se zgjedhje më 30 qershor nuk ka
Artikulli tjetërMalisheva nënshkruan memorandum mirëkuptimi me UNDP