KULTURË – Pse pikërisht 23 prilli është Dita Botërore e Librit?

TIRANË, 23 prill /ATSH/ – Dita Botërore e Librit dhe e Mbrojtjes së të Drejtës së Autorit është një festë për të promovuar kënaqësinë që të dhurojnë librat dhe leximi i tyre, shkruan worldbookday.com.

Çdo vit, më 23 prill festimet mbahen në të gjithë botën për të njohur kështu fuqinë magjike të librave, një lidhje midis së kaluarës dhe së ardhmes, një urë midis brezave dhe kulturave të ndryshme.

Data 23 prill është një datë simbolike në literaturën botërore, pasi në këtë datë kanë ndërruar jetë disa autorë të shquar si William Shakespeare, Miguel Cervantes dhe Inca Garcilaso de la Vega.

Kjo datë ishte një zgjedhje e natyrshme për Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, mbajtur në Paris në vitin 1995, për të paguar në këtë datë një ”haraç” librave dhe autorëve në mbarë botën, duke i inkurajuar të gjithë që të lexojnë libra, si si shpikja më e bukur për ndarjen e ideve përtej kufijve të hapësirës dhe kohës së njerëzimit si edhe forca më e fuqishme e çrrënjosjes së varfërisë dhe ndërtimit të paqes.

Duke mbrojtur librat dhe të drejtën e autorit, UNESCO bëhet palë me krijimtarinë, diversitetin dhe qasjen e barabartë në dije.

Me përfshirjen aktive të të gjitha palëve: autorë, botues, mësues, bibliotekarë, institucione publike dhe private, OJQ-të humanitare dhe mediat masive, dhe të gjithë ata të cilët ndjehen të motivuar për të punuar së bashku në këtë festim botëror të librave dhe autorëve, Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit është kthyer në një platformë për të mbledhur së bashku miliona njerëz në mbarë botën.

UNESCO fton të gjithë t’i bashkohen këtij udhëtimi dhe t’i çmojnë librat si mjet i vlefshëm për shkëmbimin e njohurive, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe hapjen ndaj një bote të larmishme./  /os/ /em/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.