Dita e Tokës, komuna Skënderaj aksion për pastrimin e qytetit

PRISHTINE, 19 prill /ATSH/ – Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës, që mbahet më 22 prill, komuna e Skënderajt sot zhvilloi një aktivitet për pastrimin e qytetit. Fillimisht u bë mbjellja e luleve dhe druve dekorativë në qytet, po ashtu lule në çerdhen “Nëna Zahide” dhe pastrimi i sheshit “Adem Jashari”.

Kryetari i komunës, Bekim Jashari i cili mori pjesë në këtë aksion së bashku me stafin e komunës, kërkoi që të ketë vetëdijesim nga qytetarët për të mos hedhur mbeturina vend e pa vend.

“Sot ne filluam te çerdhja e fëmijëve që mban emrin e nënës së komandantit Adem Jashari në çerdhen ‘Nëna Zahide’, me mbjelljen e luleve dhe disa pemëve dhe si vazhduam këtu në sheshin ‘Adem Jashari’ me pastrimin e ambientit. Ky aksion nuk do të ndalet, është vetëm fillimi për nder të tokës dhe për të mirën tonë që të kemi një ambient të pastër për të marrë frymë dhe ajër të pastër. I bëj apel të gjithë qytetarëve që mos të hedhin mbeturina vend e pa vend. Vitin e kaluar kemi eliminuar të gjitha deponitë ilegale, sivjet kemi më shumë deponi ilegale, kështu që kjo është për keqardhje”, – tha Jashari.

Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” i cili mori pjesë me stafin e tij për pastrimin qytetit, theksoi se aksioni i parë për të shënuar Ditën e Tokës, nisi në Skenderaj. Ai apeloi te institucionet përkatëse që të ndërmarrin masa ndaj qytetarëve të cilët i bëjnë dëm ambientit dhe hapësirave publike.

“Manifestimet për Ditën e Tokës këtë vit po fillojnë në Skenderaj. Pra, sot është aktiviteti i parë që zhvillohet për nder të kësaj dite. Shpresojmë që pikërisht nga ky vend legjendar, Skënderaj, që na motivon të gjithëve ta nisim për trajtimin e mjedisit ku ne jetojmë dhe veprojmë”, – tha Hasanaj.

Kryetari i komunës, Bekim Jashari ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij aksioni për pastrimin e qytetit. Aksioni për pastrim është zhvilluar edhe në rrugët “28 Nëntori”, “Ilaz Kodra”, “18 Qershori” dhe rruga “Sala dhe Hamit Jashari”. Po ashtu, janë pastruar nga kompania përgjegjëse edhe parqet “Idriz Rreci”, “Shaban Polluzha” dhe “Parku Amerikan i Lirisë”. Gjatë ditës do të mbahen edhe ligjërata si dhe do vazhdojë pastrimi i parqeve në shkollat fillore dhe të mesme nga nxënësit. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.