Reforma zgjedhore, opozita kërkon kohë për diskutimin e draftit

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Deputetët e opozitës kundërshtuan sot procedurën e futjes në Kuvend të propozimit të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për objektin e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Balla dërgoi dje në Kuvend një letër ku kërkohej që në Komisionin e Reformës Zgjedhore të diskutoheshin edhe ndryshime të sistemit zgjedhor në Shqipëri.

Gjithashtu u kërkua që afati i Komisionit që është deri më 5 maj të zgjatet deri në 28 nëntor dhe pjesë e veprimtarisë së Komisionit, të shtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri.

Ralf Gjoni dhe Nimet Musaj kërkuan kohë që të dy palët, opozita e re dhe shumica të ulen dhe të diskutojnë draftin në mirëkuptim.

“Hajde të ulemi të hartojmë një draft dhe të bëjmë diçka me mirëkuptim, ju lutem tërhiqeni këtë, pasi është shkelur rregullorja për mënyrën si është futur në rendin e ditës”, – tha Gjoni.

“Atë qetësinë dhe dashurinë e paske mbajtur mend, ne jemi të qetë se kërkesa jonë buron nga sinqeriteti. Me dashuri po ju trajtojmë ,pasi nëse nuk do u trajtonim ashtu do e shikonit si do u trajtonin. Shërbimet e Kuvendit më njoftuan se kërkesa nuk ishte futur në rendin e ditës dhe e hapur për diskutim. Hajde të ulemi dhe të diskutojmë, të gjithë bashkë. Rrimë këtu deri në 12 të natës dhe votojmë draftin. Vota e shqiptarëve jashtë, patjetër. Po ju, sa vite keni në pushtet dhe në krevat me PD-në, kur ka qenë amendimi juaj i fundit për votën e shqiptarëve?” – tha ai.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.