TIRANË, 12 prill /ATSH/ – “Reforma në Arsimin e Lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse”.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte sot i pranishëm në ceremoninë e 10-vjetorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Meta u shpreh se, “është e domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në mjediset universitare e shoqërore dhe politike”.
“Duhet të jemi gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht”, tha Meta.
Presidenti u shpreh se, “protestat e drejta të studentëve gjatë dhjetorit të kaluar treguan se zbatimi i ligjit aktual të Arsimit të Lartë ka probleme”.
Pasi sipas tij, “zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë sjell vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike”.
“Reforma në Arsimin e Lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse. Reforma në Arsimin e Lartë duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Reforma në Arsimin e Lartë të synojë që universitetet të jenë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika”, tha Meta.
“Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar. “Karta e Studentit”, detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj, ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës”, u shpreh Presidenti Meta.
/gj.mima/j.p/












