Ballina Flash

Vogëlushët në Kodër-Kamzë së shpejti me kopsht të ri

TIRANË, 10 prill/ATSH/ – Fëmijët e moshës 3-6 vjeç në Kodër-Kamzë do të kenë së shpejti një kopsht të ri dhe modern.

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për ndërtimin nga themelet të kopshtit nr. 58, një kërkesë e vazhdueshme e banorëve.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po realizohen, ndërsa theksoi faktin se një zonë e zaptuar më parë po i kthehet banorëve në formën e një kopshti, si investimi më i mirë për fëmijët.

“Jam shumë i lumtur që rikthehem në Kodër-Kamzë me një lajm të shkëlqyer për komunitetin. Lajmi ka të bëjë me hapjen e kopshtit, një zonë gjithashtu e zaptuar prej vitesh, por ajo që duhet të kuptojmë është se interesi i shumicës është mbi interesin e pakicës. Zaptimi i kopshteve, i shkollave, i çerdheve, i kampuseve universitare, do të marrë fund”, theksoi Veliaj.

Sipas tij, Kodër-Kamza është e para që po përjeton çlirimin e një territori të zaptuar, për të rikthyer ku ishte kopshti.

Ai shtoi se kopshti i ri është një premtim i mbajtur dhe që do të ulë ngarkesën në kopshtet e tjera të zonës, si dhe do të risë cilësinë e shërbimit dhe edukimit për fëmijët që i frekuentojnë ato.

Veliaj tha se pas kopshtit një tjetër premtim që do bëhet realitet për banorët e kësaj zone është dhe ndërtimi i shkollës së integruar “Nënë Tereza” dhe që do u japë një mundësi të barabartë fëmijëve të kësaj zone, që të arsimohen si gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo në Tiranë.

Sa i përket realizimit praktik të këtij projekti modern, Veliaj u shpreh i gatshëm që në bashkëpunim edhe me rektoratin të mund të bëjnë rishikimin e hyrjes së shkollës.

“Jam i gatshëm që të diskutoj me rektoratin hyrjen në pronën e bashkisë, te ndërtimi i shkollës; nëse duan hyrje më vete dhe nëse kanë alergji fëmijët, jam i gatshëm ta diskutoj dhe t’u garantoj një hyrje më vete, por nuk e negocioj fare ndërtimin e shkollës “Nënë Tereza””, shtoi ai.

Veliaj theksoi se ndërtimi i shkollës “Nënë Tereza” është një detyrim që bashkia e Tiranës i ka rreth 30 mijë banorëve të kësaj zone dhe në mënyrë të veçantë fëmijëve që sot duhet të udhëtojnë kilometra të tëra për të ndjekur mësimet. /k.s/a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – Transporti ajror në sfidën për të frenuar emetimet ndotëse
Artikulli tjetërMJEKËSI – Në ADN e njeriut shihen edhe shenjat e varfërisë