TIRANË, 10 prill/ATSH/ – Në qytetin bregdetar të Vlorës është normalizuar situata e krijuar si pasojë e reshjeve të shiut të rëna mëngjesin e sotëm, ndërsa të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Vlorë, Dritan Xhelili, theksoi se “në disa nga rrugët e përmbytura si ajo “Albano dhe Romina”, pranë Universitetit dhe në brendësi të qytetit situata është stabilizuar”.
“Arsyeja kryesore e problemeve erdhi si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, ndërsa arsyeja kryesore është hedhja e mbeturinave nga qytetarët në segmentet rrugore”, tha Xhelili.
Kreu i Ujësjellësit u shpreh se “edhe në pikat fundore të shkarkimit të ujërave të shiut ka pasur probleme nga më të ndryshmet, ku janë gjetur orendi shtëpiake, batanije dhe jorganë, të cilat kanë krijuar tampon në rrjetin e kanalizimeve”.
“I gjithë stafi teknik dhe logjistik i ndërmarrjes është në gatishmëri të plotë gjatë gjithë kohës, siç ishin edhe në orët e para të mëngjesit”, nënvizoi Xhelili.
Xhelili i bëri apel qytetarëve që të mbajnë pastër qytetin, pasi ai është i të gjithëve dhe duhet të bëjnë më të mirën.
Punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë kanë ndërhyrë që në orët e para të mëngjesit në rrjetin e kanalizimeve në disa rrugë të qytetit, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. /k.s/ /a.g/






















