TIRANË, 10 prill /ATSH/ Zv.kryeministri Erion Braçe ka shprehur sot gjithë mbështetjen për Policinë e Shtetit pas ngjarjes së ndodhur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas.
“Burrat që u përballën dje me një prej bandave më të rrezikshme në vend dhe eliminuan drejtuesin e saj. Burrat që po hetojnë intensivisht dhe që kanë identifikuar çdo bandit të përfshirë. Burrat që janë në territor dhe vazhdojnë ndjekjen”, thekson Braçe.
Zv/kryeministri thekson se prioritet tani është kapja e banditëve.
“Ndaj mbështetje për çdo oficer të policisë të përfshirë në hetime e operacionin e pandërprerë në terren”, shprehet zv/kryeministri Braçe.
“Pas kësaj, – shton zv/Kryeministri, – padiskutim analizë e plotë e çdo elementi që ka cenuar rëndë sigurinë nga bankat në aeroport, masa të forta për çdokënd”.
Policia e Shtetit bëri të ditur dje se, “ditën e martë pas mesditës, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë, pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi parash në pistën e avionit dhe janë larguar”.
/gj.mima/ /a.g/














