TIRANË, 4 prill /ATSH/ – Një lajmi i mirë mund të quhet ky i sotmi për fermerët të cilët janë prekur nga ndryshimi i TVSH-së. Këshilli i Ministrave ka vendosur një fond kompensimi për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Lidhur me këtë vendim ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi është shprehur gjatë një interviste televizive se shteti do t’i kompensoje fermerët me 10 lekë për litër qumështi të shitur.
Ata që nuk përfitonin sa here që bënin një rregullim në sistemin e taksave ishin fermerët, ndaj vendosem të kompensonim drejtpërdrejt fermerët.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, foli gjatë kësaj interviste edhe për mandatet, ku veprimet e opozitës i cilësoi ekstreme dhe të pajustifikuara.
Çuçi tha se “opozita ka pasur të gjitha hapësirat në Parlament, mazhoranca nuk ka asnjë përgjegjësi. Ne kemi vendosur që kryetari i opozitës të flasë në kohë të barabartë sa Kryeministri. Edhe ndërkombëtarët e kane klasifikuar si te pajustifikuar djegien e mandateve. Zgjedhje janë zgjedhje, opozitë do të ketë gjithmonë sepse e ka në vetvete shoqëria opozitën. Nuk ka asnjë pengese apo parashikim ligjore që të thotë se po nuk hyri PS e PD, zgjedhjet nuk janë te drejta. Hapet gara, vijojnë procedurat”.
Pyetjes për shtyrjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ministri iu përgjigj duke u shprehur se “kemi hezituar për të bërë ndryshime pa pasur një konsensus të gjere, po i japim dhe njëherë mundësi opozitës brenda dhe jashtë Parlamentit, që të vendosin bashkarisht. Ne kemi detyrimin të plotësojmë rekomandimet e OSBE, duhet të vazhdojmë rrugën. Absurde është që PD, pengon që te miratojmë ndryshimet ligjore që plotëson rekomandimet e OSBE-së. Bashkëbisedimi dhe dialogu është për çfarëdolloj çështjeje politike”, – përfundoi Çuçi.
m.z/













