TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Universitetet duhet të krijojnë rrugë për të ardhura dytësore.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të bibliotekës dixhitale, një kërkesë e plotësuar në kuadër të Paktit për Universitetin.
“Në përpjekje të çuarjes para të Paktit për Universitetin, një pikë tjetër janë praktikat mësimore. Tregu ka shumë mundësi që universitetet të krijojnë rrugë për të ardhura dytësore të konsiderueshme”, – tha Rama.
Rama tha se “nga partneriteti me universitetet, ministritë janë shumë optimiste për krijimin e mundësive për të financuar fakultetet”.
“Kemi përgatitur gjithë hapat administrative duke hequr barrierat administrative dhe sot universitetet mund të krijojnë kompanitë e tyre të konsulencës dhe ato mund të jenë lehtësisht fitimprurëse, duke pasur akses të privilegjuar, falë partneritetit me qeverinë. Ne kemi mundësinë të financojmë direkt, pa llogaritur çfarë tjetër këto kompani mund të bëjnë duke hyrë në garën e konsulentëve ndërkombëtarë në Shqipëri”, – tha Rama. /j.p/























