TOKIO, 1 prill /ATSH-AA/ – Periudha e re perandorake e princit të kurorës së Japonisë, Naruhito, do të quhet “Reiua”, e cila ka kuptimin e rendit dhe harmonisë.
Yoshihide Suga, zëdhënësi i qeverisë së kryeministrit Shinzo Abe, njoftoi se “periudha e Naruhitos, i cili do të vijë në fron në vend të perandorit Akihito, që do të zbresë nga froni më 30 prill, do të quhet Reiua”.
Abe dekaroi se emri është marrë nga antologjia e poezisë japoneze të shekullit të VII-të, “Manioshu”.
Kryeministri japonez tha se “qeveria këtë emër e ka zgjedhur me shpresë që Japoninë ta shndërrojnë në një vend ku gjithkush mund t’i realizojë ëndrrat, ashtu sikurse lulëzimi i luleve me ardhjen e pranverës pas një dimri të fortë”.
“Kombi ynë është në një pikë kthese. Japonezët kanë shumë vlera që nuk duhet të harrohen”, shtoi ai.
Në Japoni për herë të parë pas rreth 1 400 vitesh, periudha perandorake është emërtuar nga antologjia e poezisë japoneze në vend të klasicizmit kinez.
Akihito do të jetë perandori i parë pas 200 vitesh që do të zbresë nga froni ende në jetë, ndërsa periudha e tij quhej “Heise”, që ka kuptimin “arrihet në paqe”. /G.S/























