Ballina Aktualitet

Protestat e opozitës, si furtunë në gotë

TIRANË, 29 mars/ATSH-Maela Marini/ Protestat e opozitës zhvillohen në të vërtetë si një furtunë në gotë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar me banorë të Durrësit, në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

“Nesër këtu do të keni vizitorë nga Vora, Kamza, Kavaja, Vau i Dejës, Shkodra, punonjës të bashkive përkatëse që zhvillojnë turizëm politik, spostohen sipas datave të agjencisë turistike të protestave. Në Tiranë vijnë kur ka parlament, 1 herë në muaj mblidhen në bulevard”, – tha Rama duke ironizuar protestat e opozitës.

Ndërkohë sipas tij, kur protestuesit e opozitës të vijnë në Durrës, do të kenë mundësi edhe të shohin ndryshimin. “Për të dëgjuar nuk kanë se çfarë dëgjojnë se është i njëjti disk që rrotullohet, por do të kenë rastin të shohin Durrësin siç nuk e kanë parë. Ndërkohë që do të vihet nesër gramafoni për Dakon, ata do të mund të shikojnë rreth e rrotull punët e bëra nga Dako dhe bashkia e Durrësit dhe kështu do të bëjnë me vete dhe krahasimin mes Durrësit dhe qyteteve nga vijnë”, – tha Rama.

Ndërkohë te Veliera, tha Rama, do të kenë mundësi të shohin se diçka e re dhe çdo ditë e më bindëse është duke marrë formë aty.

“Sot isha me 30 gazetarë nga Italia dhe folëm për turizmin. Po flisja për atë që ofron Shqipëria dhe në fund u thashë: ne ofrojmë dhe protesta. Kujt i qëllojnë pushimet me të enjte në mes, mund të vijnë te parlamenti dhe të shohin si zhvillohet një protestë, apo bulevardin me protestues”, – tha Rama.

Por kryeministri u shpreh se janë protesta që zhvillohen vërtetë si një furtunë në gotë, dhe jo siç i kanë parë gazetarët italianë në televizionet e tyre, apo në fotot e artikujve që shoqërojnë protestat që ndodhin këtu.

“Janë protestues profesionistë, punonjës bashkish që nuk iu shërbejnë qytetarëve në rast se agjencia turistike i nis për protestë. Këtu është momenti që çdo qytetar i arsyeshëm të bëjë dallimin. Mbyllin dhe sportelet e shërbimeve dhe mblidhen në protestë, i quajnë ‘mitingu i shekullit’, ‘mitingu i jetës’, ‘i të gjitha kohërave’ dhe kur mblidhemi ne për një kongres është ‘antimiting'”, – tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se “edhe ata qytetarë që nuk na kanë votuar kanë interesin e zhvillimit, të ndryshimit, të çuarjes para të gjërave, ndërsa ata kanë interesin e ardhjes vërdallë, të shkatërrimit dhe të kthimit pas”. “Këto janë kushtet në të cilat sot zhvillohet jeta politike”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – “Merkel” pushton operat e Holandës
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE: Britania duhet të përcaktojë drejtimin e Brexit para samitit