Rikthehet në punë, pas ankesës në platformë

TIRANË, 27 mars/ATSH/- Arjana Mamushi u emërua në pozicionin e specialistes pranë Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, pas ankesës së saj në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Në shkurt të vitit 2018 Mamushi fitoi proceset gjyqësore për rikthimin në pozicionin e saj të mëparshëm apo të barazvlefshëm me të, si ish-punonjëse në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Duke qenë se, komponenti i Turizmit tashmë ka kaluar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për Mamushin u ngrit Komisioni i Vlerësimit nga ku u vendos emërimi i saj në pozicionin e specialistes pranë Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, institucion në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, Mamushi tha se “pas një eksperiencë 7 vjeçare në administratë në vitin 2014 vendosa të konkurroja për atë që kisha studiuar në profilin tim, ku kisha studiuar me shumë pasion në fushën e turizmit. U krijua ministria e asaj kohe dhe nëpërmjet Drejtorisë së Administratës Publike konkurrova dhe fitova një nga vendet që dëshiroja shumë. Pasi kalova me sukses shkollën e DAP dhe u certifikova si nëpunëse civile në fund të vitit të provës drejtorët vendosën të mos më konfirmojnë si nëpunëse”.

“Vendosa ta ndjek këtë çështje në gjykatë në vitin 2015 dhe e kam mbrojtur e vetme pa avokat. Gjykata vendos që të rikthehem në vendin e punës dhe të paguhem që nga dita e shkëputjes nga puna deri në momentin e emërimit. Apelohet po nga ministria dhe e fitoj në 14 shkurt 2018, po e vetme pa avokat, kisha lidhur një kontratë me përmbarues në shtator por akoma nuk po merrte drejtim kjo çështje. Në 25 shkurt iu drejtova platformës për bashkëqeverisje, jam thirrur dhe jam sqaruar që do të marr shumë shpejt drejtim kjo situatë. Sot jam aty ku e kam dëshiruar me shpirt, kjo falë platformës dhe iniciativës së kryeministrit”, theksoi Mamushi.

Rama e tha se “ti ke vetëm një të metë që nuk e ke bërë më përpara këtë kërkesë, do e kishe marrë më shpejt përgjigjen të siguroj se shkaktarët e këtij kalvari do të ndëshkohen. Drejtori apo drejtorët që të kanë mohuar të drejtën dhe të kanë persekutuar në kuptimin më të plotë të fjalës do largohen”.

Mamushi tha se “drejtorët që nuk e kanë konfirmuar në detyrë janë larguar nga puna”

Kreu i qeverisë u shpreh se “fakti që janë larguar tregon se pjesa tjetër që unë them është e vërtetë, se kur fitojnë viktimat e abuzimeve të administratës, ndëshkohen xhelatët. Më vjen shumë mirë që xhelatët e tu janë larguar”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.