Ballina Flash

Tahiri: Do argumentoj atë që vërtetoi edhe Prokuroria italiane

TIRANË, 26 mars/ATSH-A. Fortuzi/ – Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi pasdite vonë të dërgojë për gjykim dosjen “Tahiri”. Pas një seance maratonë prej 8 orësh, trupa gjyqësore mori vendimin për të çuar për shqyrtim dosjen Tahiri, duke hedhur poshtë kërkesën për pushimin e çështjes.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjatë seancës gjyqësore, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga Gjykata kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja e 4 të hetuarve, përfshirë edhe Saimir Tahirin kërkuan pushimin e çështjes, pasi sipas tyre dosja e paraqitur nga Prokuroria nuk kishte prova. Por Gjykata në fund mori vendimin për të çuar dosjen për gjykim.

Në përfundim të seancës, Tahiri u shpreh se kalimi në gjykim i çështjes është një shans për të treguar atë që ai ka thënë gjithnjë. “Tani shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. Nuk dua të merrem me llojin e seancës, llojin e akuzës. Kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund, Prokuroria pretendon atë që pretendon. Unë kam shumë më shumë për të pretenduar se Prokuroria, kështu që nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht”, tha Tahiri.

“Do të vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam pretenduar nga fillimi, që nuk kam pikë lidhje me këtë çështje, atë që vërtetoi prokuroria e Italisë, gjykata italiane. Prokurorët argumentojnë ndryshe. Kjo është çështje e tyre, do ta shohim në gjykim. Drejtësia prandaj është e bukur, në pjesën dërrmuese të rasteve nuk bën drejtësi, por në ato pak raste kur bën drejtësi ja vlen”, tha Tahiri gjatë prononcimit për mediet, duke ritheksuar se nuk ka pasur asnjë kontakt me të akuzuarit e tjerë.

Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Sajmir Tahirit në Gjykatë. Ish-ministri është hetuar për dy akuza, trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVetingu, KPK shkarkon nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi
Artikulli tjetërMINSK – Ministria e Sportit dhe Turizmit e Bjellorusisë synon të forcojë bashkëpunimin me kolegët nga Shqipëria