Fier/ Pylli i Levanit, së shpejti park shumëfunksional

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Së shpejti edhe Fieri do të ketë parkun e vet natyror.

Punimet do të nisin në pyllin e Levanit, me një sipërfaqe prej 200 ha, i cili aktualisht është shpallur rezervat natyror i menaxhuar.

Projekti i bashkisë së Fierit synon rivitalizimin e pjesës juglindore të pyllit dhe kthimin e kësaj zone në park kombëtar.

Konkretisht parku do të jetë i aksesueshëm, duke siguruar kalime këmbësorësh dhe biçikletash, hapësira çlodhëse dhe elemente ujorë.

Gjithashtu, bazuar në këtë projekt, do të ndërtohet një kompleks sportiv, i cili do të vihet në shërbim të banorëve të Fierit, por edhe të turistëve.

Kompleksi sportiv do të jetë në funksion të aktiviteteve që do t’i shtohen parkut të Levanit dhe do të ndërtohet me materiale miqësore me mjedisin për të mos shkaktuar asnjë efekt mjedisor në florën dhe faunën e pyllit.

“Me këto pamje nga pylli i Levanit ku shumë shpejt do të nisë puna për transformimin e tij në parkun e madh të qytetit, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh sot kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, duke prezantuar këtë projekt.

Ky projekt do të kthejë pyllin në park funksional dhe mikpritës për qytetarët dhe turistët.

Zgjerimi i Parkut do t’i shërbejë një numri më të madh qytetarësh dhe do të kthehet në një “frymëmarrje” të re për territoret e njësive administrative pranë. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.