Kantieri më i madh i transformimit të universitetit

TIRANË, 23 mars/ATSH-Maela Marini/ “Ne do të ngremë gjatë këtij mandati kantierin më të madh të transformimit të universitetit dhe do të ndërtojmë gjatë mandatit tonë të dytë në bashkinë e Tiranës, kampusin universitar që i duhet kryeqytetit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “nuk e ka harruar asnjë sekondë se vetëm zyra është e tij, pushteti është i shumicës së shqiptarëve që na ka dhënë mandatin për Shqipërinë që duam dhe jo për çfarë do një tufë të dëshpëruarish me Bashën në krye”.

Kryeministri theksoi se “pushteti është i studentëve, që na dhanë shuplakën e vyer të fundvitit të shkuar por edhe i tregoi gjithë Shqipërisë se përveç nesh, askush tjetër nuk i zgjidh problemet e tyre”.

“Ky pushtet do të bëjë për studentët deri në fund të këtij mandati, më shumë se sa kanë bërë të gjitha pushtet e marra së bashku në mbi 20 vite”, tha Rama, duke sjellë në vëmendje disa nga ndërhyrjet që janë ndërmarrë tashmë në kuadër të paktit me Universitetin, siç është zerimi i tarifave dhe bursat për disa kategori dhe përgjysmimin për të gjithë studentët.

Ky është pushteti i studentëve, tha Rama, duke shtuar se, “nga kartonat tanë në parlament dhe deri në zyrat tona në qeveri, të gjithë janë aty për ta ushtruar këtë pushtet në favor të qytetarëve”.

Biblioteka online, bordet e rinovuara, rindërtimi i ambienteve të universiteteve dhe laboratorët, sipas Ramës, janë disa nga ndërhyrjet në kuadër të Paktit për Universitetin.

Po ashtu, Rama siguroi se brenda këtij mandati qeverisës do të rindërtohen me standarde dhe kushte dinjitoze çdo konvikt universitar në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Elbasan.

Pushteti është i fëmijëve, tha më tej Rama, duke nënvizuar ambicien për shpërndarjen e librave falas deri në klasën e 9-të, deri në fund të mandatit qeverisës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.