Ballina Flash

Dita Botërore e Sindromës Down, Manastirliu: Analiza e ADN falas

TIRANË, 21 mars/ATSH/ – Në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndarë lajmin e rëndësishëm për rijetësimin e Laboratorit të Diagnozës Molekulare në të cilën do kryhen analizat e AND-së si dhe një seri analizash për zbulimin e diagnozave paralindje. Të gjitha këto tashmë do të ofrohen falas në strukturat publike.

“Rijetësimi i laboratorit të Diagnozës Molekulare në Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, bën të mundur realizimin e disa analizave shumë të rëndësishme përsa i përket diagnozve prenatale, siç janë analiza e AND-së dhe një seri analizash të tjera për diagnozat prenatale që do të kryhen në sajë të këtij investimi”, – tha Manastirliu.

Aparaturat moderne të instaluara në këtë laborator, do të ofrojnë 4-fishin e analizave të diagnozës prenatale.

Manastirliu deklaroi se, përveç këtij investimi, janë shtuar analiza të reja edhe në laboratorin e gjenetikës në QSUT duke filluar nga janari i këtij viti, të cilat do ndihmojnë në dhënien e shërbimeve që nuk ofroheshin më pare.

“Mbështesim sa më shumë zhvillimin dhe mirërritjen e fëmijëve, por edhe të familjeve, duke ofruar këto analiza të cilat deri dje paguheshin sot janë falas, nëpërmjet sistemit të referimit dhe protokolleve të miratuara në sistemin publik”, – u shpreh Manastirliu.

Me një investim prej 12 milionë lekësh nga buxheti i shtetit në aparatura të teknologjisë së fundit, laboratori i gjenetikës në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” është i vetmi laborator publik që do të kryejë analizat e diagnozës prenatale, si dhe një sërë sëmundjesh të tjera si: Trisomia 21, ose siç njihet ndryshe Sindroma Down, Fibroza cistike, Talasemitë major, kryerja e ADN, apo patologji të tjera që do të diagnostikohen që në barkun e nënës.

Rikryerja e këtyre ekzaminimeve do u vijë në ndihmë të gjithë grave si dhe atyre që do dyshohen që fetusi i tyre mund të mbartin probleme, apo edhe çifteve që kanë pasur më herët një shtatëzani me patologji të tilla.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAUSTRALI – Morrisson përshëndet deklaratat e Erdogan pas masakrës në Christchurch
Artikulli tjetërDeputeti i PD-së, Murrizi: Do ta votoja me dëshirë ndryshimin e sistemit zgjedhor