TIRANË, 20 mars/ATSH-Megi Zonja/ – Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Departamenti i Policisë Kriminale nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, ka bërë të mundur sekuestrimin në gjirin e Petrunës të 328 kg kanabis si dhe dy mjete lundruese gomone.
Policia e Shtetit bën me dije se organet ligjzbatuese pas një hetimi të gjatë me metoda speciale, si dhe pas 72 orësh operacion gjurmimi, kanë bërë ndjekjen dhe gjetjen e mjeteve lundruese, të lëndës narkotike si dhe kapjen e arrestimin e personave të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, mesditën e sotme.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve dhe ndalimi i 8 personave anëtarë të një grupi kriminal të strukturuar, të cilët janë:
E. Ç., 35 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit;
S. D., 45 vjeç, banues në Vlorë, në rolin e organizatorit;
A. Gj., 22 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit;
Xh. H., 26 vjeç, banues në Orikum Vlorë, anëtar i grupit kriminal;
G. K., 27 vjeç, banues në Dukat Vlorë,anëtar i grupit kriminal;
N. S, 45 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal;
O. P., 29 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal;
E. M., 40 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal;
H.B, 51 vjeç, banues në Dukat Vlorë, anëtar i grupit kriminal;
A.B., 19 vjeç, anëtar i grupit kriminal.
Operacioni nisi tri ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë. Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës.
Në këtë operacion policor janë përfshirë rreth 80 forca policore, prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mjete lundrimi të Delta-Forcës, Policisë Kufitare si dhe mjete të Policisë të DVP-Vlorë.
Nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, vazhdon puna për dokumentimin më të plotë të aktivitetit kriminal të kryer nga ky grup i strukturuar kriminal, si dhe për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Ky operacion u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr. 156 të vitit 2018, të drejtuar nga Prokurorët e Prokurorisë për Krime të Rënda, Anton Martini dhe Manjola Kajana, procedim i regjistruar për veprën penale të “Trafikimi i lëndëve narkotike”, ku në funksion të këtij procedimi më datë 29.08.2018 në bashkëpunim me autoritetet italiane, janë sekuestruar në brigjet e Italisë 700 kg kanabis, 1 gomone e cila shërbeu për trafikimin e lëndës narkotike, si dhe janë arrestuar shtetasit A.R dhe D.K.
/m.z/e.caushi/























