Ballina Aktualitet

Balla: Në qershor hapen negociatat me BE. Opozita frikë nga drejtësia e re

TIRANË, 18 mars/ATSH-A.Fortuzi/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se negociatat me Bashkimin Europian do të hapen në muajin qershor.

Deputeti i PS, Balla gjatë një interviste televizive u shpreh se Kuvendi është legjitim dhe deputetët që kanë pranuar mandatet e djegura nga opozita i njeh SHBA-ja, Gjermania dhe Parlamenti i BE-së, teksa shtoi se Kryemadhi e Basha kanë frikë nga drejtësia e re.

“Ta harrojë Saliu dhe i biri i tij, Lulzimi që mund ta kthejnë Shqipërinë në makthet e 1997. Në qershor hapen negociatat. Për ne është i rëndësishëm që KE të rikonfirmojë vlerësimin pozitiv. Me përfundimin e zgjedhjeve europiane dhe shqyrtimit të gjetjeve të reja të komisionit, KE do të përcaktojë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë”, – tha ai.

Gjatë intervistës Balla tha se në Kongresin e 23 marsit, PS do të shtrojë rrugën drejt zgjedhjeve të 30 qershorit, ku synon jo vetëm rikonfirmim në bashkitë që ka nën drejtim PS, por edhe të atyre ku PS s’ka pasur ende mundësi të drejtojë.

“Kryesia e PS është institucion që mblidhet çdo javë dhe natyrshëm në prag të kongresit kemi miratuar axhendën e punës, që i kushtohet zgjedhjeve të 30 qershorit. Është kongres elektoral. Qëllimi është konfirmimi i kandidaturave, kemi edhe një ekip të ri kandidatësh në bashki, ku kemi menduar t’i ndryshojmë, do të kemi një ekip fitues në bashkitë ku nuk kemi pasur mundësi t’u shërbejmë qytetarëve. Ftesa për Fatos Nanon? Zoti Nano është lider historik i PS-së, personalitet që i ka dhënë shumë politikës shqiptare. Unë do të shpresoja shumë, që të ishte pjesë e punimeve të kongresit”, – tha Balla.

Duke folur për largimin e opozitës nga Kuvendi, Balla u shpreh se, opozita dogji mandatet dhe u largua nga Kuvendi me qëllim bllokimin e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, pasi ka frikë për ato që ka bërë.

“Nuk besoj që Shqipëria është në krizë politike. Dua të them shumë qartë që krizat ndodhin kur dy palë kanë konflikt mes tyre. Ne s’kemi konflikt me PD, por PD në mënyrë unilaterale mori një vendim pa ditur se ku do shkonte, kostot që do kishte për PD dhe pse jo, për vendin. PD ndërmori një vetëvrasje politike. Protestat janë të mirëseardhura, por jo dhuna. Kur i thua qytetarëve Lulzim Basha, ata e asociojnë me dhunën. E pamë më 16 mars. Lulzim Basha komandoi sulmet kundër policisë dhe institucioneve në 16 mars dhe ajo që ka ndodhur sot, tritoli shtyllës, është sulm terrorist që pas tij fshihet komandimi politik nga godina e SHQUP-it. Më shumë se 75% e qytetarëve shqiptarë nuk e mbështesin aktin vetëvrasës të PD”, – tha Balla.

“Nuk është rastësore që opozita dorëzoi mandatet në ditën kur në Kuvend duhet të votoheshin strukturat e dy institucioneve të reja. Garantoj me përgjegjësi të plotë se sot që flasim, asnjë politikan shqiptar nuk ka dot ndikim në procesin në Vetingut apo vendimmarrjes së KLGJ-së apo KLP-së. Opozita është kapur pas dy flluskave të sapunit. Dosja 339 në 3500 orë dalin dy biseda. Drejtësia po heton. Ky vend ka njohur se si Ambasada e SHBA në komunikimin e saj zyrtar me Uashingtonin tregonin se si Basha kishte shkuar në një familje në Elbasan dhe i kishte premtuar se nëse do i jepnin votën, djali i tyre do të shkonte në shtëpi, burgu u hap, vota u mor dhe ai shkoi në shtëpi. PD nuk ka gjë me ne, por me drejtësinë e re. Por, nuk ka burrë nëne në këtë vend ta pengojë. Kujtoni se u ka djegur barku për Shqipërinë?” – tha ai.

“PS nuk blenë vota, sepse janë 755 000 shqiptarë që i kanë besuar. Sot jemi rreth 100 ditë larg zgjedhjeve të qershorit. Sa më shumë të afrohen aq më shumë do përpëlitej Luli, e dinim këtë, por kësaj radhe në përpëlitje ka marrë dhe Monën me vete. Pushtet në tavolinë nuk ka. Në Kuvend deputetët e opozitës i ka propozuar Basha e Monika. Këta i merr seriozisht Parlamenti Europian, BE dhe SHBA, pse s’duhet t’i marrim ne seriozisht?!” – shtoi Balla.

Sa i takon Reformës në Drejtësi, Balla theksoi se është vlerësuar nga Gjermania e SHBA.

“Ky proces monitorohet nga Organizata e Monitorimit Ndërkombëtar (OMN). Deri më sot raportet e OMN, të reflektuara nga partnerët tregojnë se po bëhet një proces model. Ambasadorja e Gjermanisë tha pak orë më parë se është reformë model, kjo reformë është përshëndetur nga SHBA”, – tha Balla.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAhmetaj: Opozita po pengon hapjen e negociatave me BE
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE: Duhen më shumë lehtësi për ndryshimin e makinave me motorë diesel