Ballina Aktualitet

Ulqini: Protesta, jo përfaqësuese e popullit opozitar

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini e konsideroi protestën e sotme të opozitës, një grumbullim të zakonshëm përballë pritshmërisë dhe deklaratave të liderëve opozitarë se do të ishte protesta më e madhe e pluralizmit. I ftuar në një studio televizive, ai theksoi se Tirana nuk kishte atmosferë proteste, pasi më shumë njerëz po lëviznin jashtë kryeqytetit për fundjavë sesa po hynin për t’u bashkuar me opozitën.

“Kishte edhe elemente dhune të panevojshme. Skenat para Parlamentit shërbejnë vetëm për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë, procesin e integrimit, ekonominë dhe turizmin”, tha ai.

Sipas Ulqinit, në protestë kishte vetëm militantë të organizuar po jo qytetarë të revoltuar. “I kam parë këto protesta në Qytet Studenti,  në ’97 dhe në Gërdec, tek protestat e studentëve por nuk ka pasur asnjë element dhune në raport me institucionet dhe me policinë”, theksoi ai.

Ulqini tha se protesta në shifra ishte më e vogël se ajo 16 shkurtit.

“Mungoi populli opozitar, pasi nga votat që ka marrë PD në zgjedhjet e fundit, kishte shumë më pak njerëz. Mungoi kryeqyteti. 197 mijë veta votuan opozitën në vitin 2017, po nuk kishte përfaqësim në protestë. Mungonin familjet, gratë, të rinjtë”, tha ai.

Ulqini solli në vëmendje edhe dy deklarata nga aleatët strategjikë, ku përfaqësitë e SHBA dhe BE kanë folur krejt qartë për gjuhën e dhunës, se protestat janë e drejtë por nuk duhet të dëmtojnë institucionet, pronën publike dhe imazhin e Shqipërisë. “Institucionet konsiderohen legjitime të zgjedhura përmes votës, dhe vërehen përparime në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, citoi ai.

“Ne jemi legjitimë për shkak të zgjedhjeve të certifikuara. Ky parlament ka funksionuar në raport me Kushtetutën dhe ligjet dhe ne kemi aq vota, 74 mandate për të qeverisur. Opozita më shumë nuk ka qenë e pranishme në parlament”, tha Ulqini.

Deputeti i Partisë Socialiste përfundoi duke deklaruar se “nuk mund të negociojmë vullnetin e shqiptarëve me opozitë. “Hera e parë që ndërkombëtarët në unison kanë artikuluar që zgjedhjet janë legjitime, qeveri legjitime dhe ne jemi në bashkëpunim me këtë mazhorancë, duke bërë thirrje që opozita të mos cenojë të mirën e Shqipërisë”, tha ai. /j.p/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBraçe-Bashës: Nuk ke popull dhe ky është problemi yt
Artikulli tjetërProtesta para Kuvendit, 3 efektivë të lënduar