Ballina Aktualitet

Protesta para Kuvendit, 3 efektivë të lënduar

TIRANË, 16 mars/ATSH/- “Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi Policia e Shtetit.

“Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, vijon deklarata.

“Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme. Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor”, theksohet në deklaratën e policisë

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin e tubimit vepruan me përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin, duke garantuar ruajtjen e rendit e sigurisë publike si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve”, thuhet në njoftim. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUlqini: Protesta, jo përfaqësuese e popullit opozitar
Artikulli tjetërBRUKSEL – Timmermans: Londra të kuptojë se çfarë kërkon nga BE