Ballina Aktualitet

Hysi: Kjo është protestë e opozitës dhe jo e popullit

TIRANË, 16 mars/ASH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi deklaroi sot se “kjo është një protestë e opozitës dhe nuk është protestë e qytetarëve dhe e popullit, sepse shumica e njerëzve nuk duan dhunë”.

E ftuar në një studio televizive, Hysi tha se “sot të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por shumica e qytetarëve nuk i mbështet protestat e dhunshme”.

“Sot një pjesë e mirë e investimeve publike në Tiranë janë shkatërruar. Pashë se çfarë dëmi është bërë në bulevard dhe ato paguhen nga taksapaguesit”, tha Hysi.

Ajo vlerësoi veprimin e Policisë së Shtetit në të gjitha protestat e organizuara. “Policia e Shtetit asistohet nga policia europiane dhe është e trajnuar dhe e specializuar. Të gjitha veprimet e Policisë kanë treguar shkallën e profesionalizmit dhe mosprovokimit”, tha Hysi.

Sipas saj, “është e domosdoshme që të bëhet një analizë se çfarë dëmi i është bërë ekonomisë shqiptare pas datës 16 shkurt, dhe si kanë rënë të ardhurat e biznesit”.

“Protesta e opozitës ka dëmtuar ekonominë, ka ulur ritmet e zhvillimit të saj, ka dëmtuar turizmin dhe biznesin dhe ka ulur ritmet e integrimit europian, pasi nuk e dimë akoma se çfarë pasojash do të ketë në çeljen e negociatave”, tha Hysi.

Sipas saj, “kjo protestë e dhunshme nuk përfaqëson opozitarin e ndershëm”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuçovë/ Gjimnazi “5 Tetori”, nga një godinë e rrënuar në një mjedis me standarde
Artikulli tjetërPARIS – Jelekverdhët shkatërrojnë ”Champs-Elysées”