Ballina Aktualitet

Ferhati: Pasqyra e gjithë popullit është në kutitë e votimit

TIRANË, 16 mars/ATSH-Maela Marini/ “Fuqinë e një force politike nuk e tregon fakti se sa njerëz rrinë në shesh, por sa njerëz votojnë për të në kutitë e votimit”.

Kështu deklaroi sot e ftuar në një studio televizive, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati, duke komentuar protestën e opozitës.

“Për mua, ca njerëz më shumë ca më pak, nuk janë pasqyra e gjithë popullit. Pasqyra e gjithë popullit është gjithmonë në kutitë e votimit, ku tregohet se kush ka fuqinë më të madhe për të qeverisur dhe kush është në opozitë”, tha Ferhati.

Por këtë mundësi, sipas saj, ta jep të qenit në parlament. “Kush pretendon sot se mund të jetë alternativë e re qeverisëse nesër, duhet që luftën e vetë ta bëjë me mjete demokratike. Ndaj kur ka zgjedhje, aktorët politikë garojnë para njëri-tjetrit”, tha Ferhati.

E vërteta është, vijoi ajo, “që sot maxhoranca qeveris në bazë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të vitit 2017, të pranuara si të tilla edhe nga opozita e sotme”. “Ky proces zgjedhor u monitorua nga ndërkombëtarët dhe nga asnjë palë politike nuk kishte asnjë  ankimim pranë Kolegjit Zgjedhor”, tha ajo.

Shqipëria ka sfidat e veta, tha Ferhati, duke shtuar se “është fakt se kjo mazhorancë ka bërë reforma dhe punon në mënyrë sistematike dhe të përgjegjshme”.

Duke komentuar qëndrimin e opozitës, Ferhati tha se “edhe kur kanë qenë në Kuvend, në pjesën më të madhe të kohës ata kanë bojkotuar”.

“Madje edhe kohën kur kanë qenë në sallën e seancave në Kuvend më tepër e kanë përdorur për të bërë retorikë kundër mazhorancës se sa për të folur për të drejtat e njerëzve”, tha Ferhati. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPllaka dhe kangjella te shkulura nga protestuesit, Veliaj: Tirana nuk i përulet dhunës
Artikulli tjetërPEKIN – Kina zyrtarizon kandidaturën për Kupën e Azisë