Ballina Flash

Ndreu: Punësimi, jo më një proces politik

TIRANË, 13 mars/ATSH- A. Fortuzi/ – Deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu, duke folur për pr/ligjin për “Nxitjen e Punësimit”, që po diskutohet sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, theksoi se kjo nismë ligjore zgjidh një problematikë që ka shqetësuar qytetarët ndër vite.

Sipas Ndreut, kjo qeveri është qeveri e premtimeve të mbajtura dhe meritokracisë.

“Punësimi është një problem i madh në vendin tonë. Qeveria ka bërë të pamundurën që kjo problematikë të administrohet siç duhet. Punësimi nuk është më proces politik, siç ka qenë dikur. Në arsim nuk bëhet më fjalë të shkosh me rekomandime partiake, por tashmë kemi një konkurs që ka disiplinuar çdo gjë përmes aplikimit online dhe ka nxjerrë nga loja çdo lloj forme apo mundësie për të qenë pa meritë në një pozicion pune.  Ka me dhjetëra e qindra raste kur fituesit s’kanë lidhje me politikën, apo madje ka pasur raste dhe kur ka pas fitues të një vendi pune për shkak të sistemit të meritokracisë, kur të rinj që prindërit i kanë me funksione të larta në partitë opozitare të jenë punësuar”, tha Ndreu.

Duke kthyer vështrimin te qarku i Lezhës, Ndreu tha se, materniteti i ri i cili do kushtojë 3 miliardë lekë do realizohet, teksa do ketë ndërhyrje dhe në laboratorë dhe godinat ekzistuese të spitalit të Lezhës.

“Një investim shumë pritur në Lezhë për maternitetin e ri, i cili do të kushtojë 3 miliardë lekë që është është kthyer në një arsye për të baltosur çdo gjë që bënë qeveria për atë zonë. Ky është një investim i shumë kërkuar dhe s’ka asnjë shans që të gënjehet në këtë drejtim. Materniteti do bëhet i ri, nga 0 dhe do inkludohet në bllokun e spitaleve të Lezhës”, tha deputeti socialist.

“Po ashtu dhe klinika dhe repartet e tjera të spitalit të Lezhës do pësojnë ndërhyrje, për një vlerë që shkon deri në 8 miliard lekë. Në Lezhë ka pushtet lokal që fle gjumë. Ne nuk kemi qenë dhe s’jemi as kemi për të qenë kurrë në rolin e njerëzve që premtojmë e nuk bëjnë gjë kurrë”, tha Ndreu.

“Rruga e Torovicës, ka vuajtur nga një problematikë që sot është zgjidhur, rruga për pak ditë inaugurohet nga Kryeministri Rama. E di padurimin e banorëve të zonës, por vullnet i qeverisë dhe vullneti personal i kryeministrit bënë që te kjo rrugë të vihet dorë. Rruga Milot – Balldren, që për “kastorët” e Facebook-ut të paguar nga Bashkia e Lezhës pyesin ku është kjo rrugë, kjo rrugë do bëhet. Do bëhet me tuneli, që do shmang gjithë atë turbullirë e madhe që krijohet në hyrje të Lezhës”, vijoi Ndreu

“Rruga Shëngjin-Velipojë është në proces dhe shpejt del për t’u prokuruar. Është një premtim që është dhënë e do bëhet. Asnjë premtim që kemi dhënë s’do mbetet në rrugë. Ne s’dimë të gënjejmë. Ne jemi përfaqësues të një force politike dinjitoze”, garantoi Ndreu në fund të fjalës së tij. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFISHË TEKNIKE – Pasojat ekonomike të një Brexit-i pa marrëveshje
Artikulli tjetërPendavinji: Ligji për punësimin plotëson kërkesat e kohës