Ballina Aktualitet

Kryemadhi: Kush pranon mandatin e deputetit, nuk përfaqëson LSI-në

TIRANË, 13 mars/ATSH – A. Fortuzi/ – Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur përjashtimin nga radhët e saj të të gjithë kandidatëve të listës shumemërore të zgjedhjeve të qershorit 2017 që nuk kanë zbatuar vendimin e Komitetit Drejtues të LSI për djegien e mandatit.

Sipas një vendimi të marrë në datë 22 shkurt 2019, mësohet se, Komiteti Drejtues i LSI mori vendim për çregjistrimin nga regjistri i anëtarësisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim për kandidatët e regjistruar në listën shumemërore të LSI për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017 të cilët thyejnë vendimin politik të LSI për djegien e mandateve. “Vendimi do të ekzekutohet individualisht për secilin nga kandidatët e listës shumemërore. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, lexohet në vendimin nr. 2 të datës 22 shkurt me numër protokolli 61.

Urdhri është firmosur nga Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Sakaq, kryetarja e LSI i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku bën me dije se kandidatët që kanë pranuar mandatin e deputetit nga lista e LSI pas djegies së mandateve nuk përfaqësojnë LSI-në si forcë politike.

“Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur djegien e mandateve të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë dhe mospjesëmarrjen përfundimtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë”, lexohet në letrën drejtuar KQZ.

“Komiteti Drejtues Kombëtar ka vendosur çregjistrimin si anëtarë të Lëvizjes Socialiste të të gjithë kandidatëve për deputetë të listës shumemërore të LSI-së të paraqitur prej saj për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017, të cilët thyejnë vendimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe pranojnë mandatin e deputetit”, vijon letra.

“Çdo individ i listave shumemërore të LSI, që pranon mandatin e deputetit nuk përfaqëson as formalisht, as ligjërisht dhe as politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndaj edhe dhënia e mandatit çdonjërit prej tyre është antikushtetuese dhe antiligjore, pasi në zgjedhjet politike të 25 qershorit, në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor qytetarët shqiptarë kanë votuar për partitë politike dhe jo për individët”, shkruhet në letër.

“Përfundimisht ju bëjmë me dije se çdo mandat i dhënë nga KQZ nga lista shumemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk përfaqëson absolutisht këtë parti. Çdo individ, që pajiset me mandat deputeti nga KQZ nga kjo listë shumemërore e LSI është i paligjshëm dhe nuk mund të përdorë në asnjë rast as vullnetin politik, por as atributet formale, ligjore dhe publike të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim përfshirë këtu siglën, programin, statutin, emblemën, vulën dhe emrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, theksohet në letër. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNjë pemë për të përkujtuar të afërmit që nuk jetojnë më
Artikulli tjetërSiguria e digave, Balluku: Rehabilitim i portave të shkarkimit në HEC-et Koman dhe Fierzë