TIRANË, 12 mars/ATSH/ Puka është kthyer në qendër atraksioni turistik pas investimeve të kryera nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot pamje nga qyteti verior, që ilustrojnë një pjesë të investimeve madhore që kanë sjellë transformimin e këtij qyteti.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të rilindjes fantastike të Pukës, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Ndër investimet e kryera në Pukë janë rivitalizimi i shëtitores së qytetit, një investim prej 2.2 miliard lekë që përfshin rivitalizimin e sheshit “Tërbuni” atë pranë urgjencës dhe Hotel Turizmit, ndriçimin dhe shëtitoren në mesin e dy shesheve.
Po kështu është bërë i mundur dhe rikonstruksioni me sistem kapot i fasadave të ndërtesave që përfshin zonën e rivitalizuar.
Një tjetër investim madhor është rivitalizimi i liqenit, ndërtimi i shëtitores rreth tij dhe rikthimin në funksion të qytetarëve dhe të parkut të gjelbër të qytetit.
Bashkia e Pukës gjatë këtyre tre viteve ka përfituar mbi 5 milionë euro investime, të cilat kanë ndikuar që qyteti verior të shkëputej nga zymtësia që e karakterizonte si pasojë e godinave të rrënuara dhe infrastrukturës së degraduar.
Endodhur në qendër të Shqipërisë veriore, Puka ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm./m.m/























