Protesta e studentëve i hapi rrugë punësimit të ekselentëve

TIRANË, 12 mars/ATSH-Maela Marini/ “Punësimi në administratën publike i studentëve ekselentë është një mundësi që na e dha protesta e studentëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me të diplomuarit ekselentë, Rama tha se “kjo ka qenë përpjekje e vjetër, por ka qenë e pamundur për shkak se ligji e ndalon”.

“Ne jemi një vend që monitorohet nga BE dhe zbatimi i ligjeve sidomos sa i përket administratës publike është një nga pikat më kyçe të këtij procesi. Monitorimi i administratës është një prioritet në rrugën e integrimit, prioritet i vendosur nga BE. U desh protesta për t’u thënë atyre se duhet t’u hapim rrugë këtyre njerëzve sepse situata është e vështirë”, tha Rama, duke shtuar se “protesta na dha mundësinë ta përdorim si argument”.

Rama u shpreh falënderues për ata që i dhanë shpirtin protestës së studentëve, e cila ishte një shtysë shumë e fort për të hapur këtë process. “Kjo nuk ishte tek ato pikat e studentëve, por ishte një pikë që unë e shtova, sepse kisha kohë që doja të hapej kjo rrugë, që studentët më të mirë ta merrnin vendin dhe të mos ishin peng i mungesës së eksperiencës”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, “ky është vetëm fillimi i një procesi që lidhet me ripërtëritjen e administrates”.

“Së shpejti shpallen të tjera vende dhe të gjitha vendet e lira që janë edhe me Kod Pune në Hipoteka, ALUINI-i, inspektoriate të ndryshme etj, do të jenë në dispozicion të më të mirëve. Kjo është një ndihmë shumë e madhe për ne, pasi kështu i kemi vënë fre edhe prurjeve të tepsisë”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.